Nga refuzimet te grabitjet, udhëtimi i Leon Baileyt në Premier League ka qenë një udhëtim i egër. Por, gjatë të gjitha sprovave dhe mundimeve, futbollisti nga Xhamajka nuk ka hequr dorë kurrë nga ëndrra e tij. Pak më shumë se një dekadë më parë, lojtari që Aston Villa e transferoi në fillim të gushtit për 35 milionë euro, ishte ulur në një zyrë me njerkun e tij Craig Butler dhe vëllezërit e tij, Kevaughn dhe Kyle, duke u dridhur nga të ftohtët austriak. Përballë kësaj katërshe, drejtori i akademisë së klubit të madh nga Austria, Red Bull Salzburg, kishte një shprehje tronditëse në fytyrë.
“Doni një provë?”, ishte pyetja e tij.
Butler pohoi me kokëfortësi dhe ndërsa drejtori tundi kokën. Por, ai u përgjërua dhe u lut, duke refuzuar të merrte një jo për përgjigje.
“Në fund, ai u pajtua”, thotë Butler ndërsa kujton provën e parë të djalit të tij birësues në Evropë.
Të katërtit kishin mbërritur në Austri vetëm disa ditë më parë. Ata kishin udhëtuar nga Kingstoni i Xhamajkës në kompleksin stërvitor të Salzburgut pa ftesë dhe ishin lutur që të ftoheshin. Kjo ishte mundësia e vetme. Një mundësi që Butler i kishte përgatitur djemtë kur ishin në Xhamajkë prej moshës gjashtëvjeçare. Por, asgjë nuk kishte mundur t’i përgatiste ata për ftohtin që mbretëronte në Austri.
“Ishte ngricë”, kujton Butler. “Gjatë provës, djemtë ngrinë në fushë. Ata nuk mund të ecnin, e lëre më të vraponin. Ishte shumë ftohtë. I kërkova drejtorit të na jepte më shumë kohë për t’u përshtatur, por ai më tha jo”.
Pavarësisht refuzimit, Leon dhe vëllezërit e tij nuk do të dorëzoheshin. Ata nuk kishin udhëtuar përgjatë botës për të dështuar në pengesën e parë.
“Kur arritëm në shtëpi, djemtë hoqën bluzat dhe vrapuan tri kilometra në të ftohtë. Ne filluam procesin e përshtatjes të nesërmen. Ne shkuam të stërvitemi në fusha dhe u mësuam me të ftohtin austriak”, shtoi Butler.
Kishte më shumë refuzime ndërsa Butler i çoi djemtë e tij në çdo klub profesional në rajon. Përfundimisht, një ekip vetëm në jug të Salzburgut dhe në nivelin e dytë të Austrisë, Anif, ishte i gatshëm t'u jepte atyre një mundësi pasi drejtori i klubit i vuri re duke luajtur futboll në një park lokal. “Ata e vendosën Leonin me ekipin U17, edhe pse ai ishte vetëm 13 vjeç në atë kohë, dhe ai befasoi të gjithë”, shprehet Butler.
Bailey luajti një rol vendimtar në ecurinë e klubit deri në finalen e kupës austriake U17 atë vit për t’u përballur me një kundërshtar shumë të njohur, Red Bull Salzburgun.
“Ata fituan 4:2 në finale”, kujton Butler. “Leoni shënoi tri gola, kurse Kyle asistoi tri herë. Papritur, pas ndeshjes, Salzburgu i dëshironte në radhët e veta tre djemtë”.
Por, Butler nuk pranoi ta dërgonte asnjërin prej djemve të tij. Ai tashmë kishte parashikuar hapin tjetër në turneun evropian të djemve. Austria u kishte mësuar atyre gjithçka që duhej të dinin. Sidoqoftë, Genku i Belgjikës kishte më shumë për të ofruar.
“Doja më të mirën për djemtë. Genku ishte i famshëm për Kevin De Bruynen, Christian Benteken dhe Thibaut Courtoisin. Aftësitë e trajnimit teknik që kishin në akademi, ishin ato që u duheshin djemve për të arritur në hapin tjetër”.
Në Genk, Butler dhe djemtë e tij ishin në gjendje të vendoseshin ndërsa luanin për klubin si lojtarë mysafirë. Ata gjetën një vend dhe gjërat po dukeshin sikur kishin marrë një kthesë për të mirë. Sidoqoftë, qetësia e tyre ishte jetëshkurtër. Butler fluturoi në Meksikë në një udhëtim pune në fund të vitit 2012 në mënyrë që t’i përfundonte dokumentet, të cilat do të lejonin që të bijtë e tij të qëndronin në Belgjikë dhe të regjistroheshin si lojtarë. I veshur me një kostum biznesi me një çantë, ai ra pre e lehtë e banditëve që e grabitën dhe e rrahën. Gjëja tjetër që ai dinte ishte zgjimi në shtratin e spitalit, trupi i tij i mavijosur dhe me dhimbje. Gjuri i ishte thyer. Veshka e tij po dështonte dhe çdo kockë në trupin e tij dhembte. Dhjetë mijë kilometra larg, Leon dhe vëllezërit e tij nuk dinin për vendndodhjen e Butlerit. Ata të gjithë ishin të mitur në një tokë të huaj dhe duhej të kalonin pa të javë të tëra.
“Unë isha një njeri i thyer. Unë premtova se do të kthehesha tek ata dhe do të gjeja një mënyrë për t’i bërë ata si lojtarë profesionistë”, shprehet Butler.
Pas shërimit të tij, autoritetet lokale refuzuan qëndrimin e tij në Belgjikë. Ai tashmë kishte rënë dakord me klubin, që do të thoshte se djemtë u kthyen në shtëpi në vitin 2013. Gjatë gjithë kohës së tyre në Evropë, Butler mori punë të çuditshme, përfshirë pastrimin e tualeteve, në mënyrë që të mbijetonte.
Kur u kthyen në Xhamajkë, Bailey dhe vëllezërit e tij u stërvitën në akademinë “Butler's Phoenix All Star”. Por, plani ishte gjithmonë të ktheheshim në Evropë. Pasi Bailey kishte mbushur 18 vjeç, kishte mjete ligjore për t'u kthyer. Përmes lidhjes së Ajaxit me AS Trencin, Bailey dhe një nga vëllezërit e tij, Kyle, përfunduan në Sllovaki, por lidhjet e mundshme me Ajaxin u prishën. Genku u fut përsëri në lojë.
Në Belgjikë, Bailey lulëzoi në një mjedis të njohur. Ai hyri në ekipin e parë menjëherë dhe fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të ri në Jupiler League në sezonin e tij të parë. Manchester Unitedi, Chelsea dhe Manchester City, të gjithë e donin 18-vjeçarin, por hapi logjik i radhës ishte Bundesliga dhe Bayer Leverkuseni - një klub tjetër që ishte i njohur për t’i ndihmuar lojtarët të arrinin nivelin e ardhshëm.
Por, ëndrra ka qenë gjithmonë Premier League dhe kur Aston Villa i bëri telefonatë Butlerit, i cili tani punon si agjent i Baileyt, ishte shumë i lumtur.
“Është jashtëzakonisht emocionuese për Leonin të jetë në Premier League”, pranon ai. “Ne gjithmonë morëm kohën tonë për t’u siguruar që ai të zhvillohej dhe të merrte hapat e duhur përgjatë rrugëtimit që e kishim. Por, Premier League ishte gjithmonë qëllimi ynë. Ishte destinacioni ynë”.
Duke parë rrugën e mundimshme që e ka çuar djalin e tij në nivelet më të larta të lojës, Butler beson se edukimi i ashpër i ka dhënë Baileyt një forcë të jashtëzakonshme mendore. E kjo forcë që është e shoqëruar me aftësinë e tij, mund ta çojë atë drejt majës.
“Për shkak të asaj që kemi kaluar, e di që Leoni nuk mund të ndalet”, thotë ai. “Të shkosh në një klub në zhvillim si Aston Villa, ku ai ka shansin për t'i ndihmuar ata të arrijnë diçka të madhe, ndoshta për të fituar ligën ose për të përfunduar në katër vendet e para, është sfida që i duhet. Qëllimi i Leonit është të bëhet një nga lojtarët më të mirë në botë”.