Sport

Rritja e trajnerëve të goditjeve të dënimit në futboll

Suksesi i Italisë në “Euro 2020” u mbështet nga risitë dhe imagjinata me rastin e goditjeve të dënimit, përkatësisht goditjeve standarde. Njeriu përgjegjës ishte Gianni Vio, një ish-bankier nga Venecia, i cili kaloi pjesën më të madhe të kohës së tij të lirë si ndihmëstrajner në ligat e ulëta të futbollit italian, para se t'i jepej mundësia për të punuar në elitë.

Vio u angazhua nga Roberto Mancini si trajner i goditjeve të dënimit tek Italia, pasi kaloi 20 vjetët e fundit duke studiuar variacionet e shumta në pozitat e goditjeve të lira. Ai krijoi një faqe në internet mbi këtë temë, e pastaj shkroi librin “That Extra 30 Per Cent” (Ai 30-përqindëshi shtesë). Libri tërhoqi vëmendjen e ish-portierit të Italisë, Walter Zenga, i cili kontaktoi Vion pasi u bë trajner te Cërvena Zvezda e Beogradit.

Zenga e punësoi Vion për ekspertizën e tij të goditjeve të dënimit kur u bë trajner i Catanias në vitin 2008, ndërsa luftonte për të qëndruar në Serie A. Ndikimi i tij vështirë se mund të ketë qenë më dramatik. Ndeshja e tij e parë ishte kundër Napolit më 6 prill të vitit 2008 dhe Catania fitoi 3:0, me dy gola të shënuar nga goditjet e dënimit. Goli i parë erdhi nga një goditje dënimi prej krahut të majtë. Ndërsa topi u godit, tre lojtarë sulmues lëvizën jashtë zonës së penalltisë, duke tërhequr markuesit e tyre dhe duke lejuar katër lojtarë të tjerë të vraponin drejt shtyllës së parë që pothuajse ishte e pambrojtur. Njëri prej atyre lojtarëve arriti ta dërgojë topin në rrjetë.

Goli i dytë u shënua pas rivënies nga këndi. Lojtarët e Catanias vërshuan zonën e afërt te shtylla e parë e portës, duke tërhequr përsëri vëmendjen e mbrojtësve dhe portierit, ndërsa lanë gjithashtu një lojtar të lirë në skaj të zonës së rrezikshme, i cili ishte në gjendje të vraponte pa u penguar në shtyllën e dytë dhe të shënonte.

Më vonë atë sezon ndikimi i Vios çoi në shënimin e golave nga goditjet standarde edhe ​​kundër Romës e Juventusit, ekipe me të cilat Catania barazoi 1:1. Falë këtyre barazimeve me Romën e Juventusin, skuadra e Catanias arriti ta ruajë statusin e skuadrës së Serie A për një pikë të vetme.

Rutinat e Vios zakonisht synojnë të krijojnë një element pasigurie midis mbrojtjeve. Kjo shpesh ndodh nga lojtarët që shkëmbejnë pozicionet pak para goditjes. Një tjetër lëvizje e tij e preferuar është që ekipi sulmues të ndërtojë murin e tij gjatë goditjes së dënimit, shpesh duke marrë një pozicion jashtë loje para se të shpërndahet, duke ngjallë konfuzion në mbrojtje. Ai ka të paktën 4830 variacione për goditjet standarde dhe secili variacion është përshtatur me pikat e forta të lojtarëve individualë.

“Ju duhet të analizoni lojtarët që keni dhe të gjeni zgjidhje të përshtatura për aftësitë e tyre”, tha Vio.

Ai megjithatë pranon se të kesh një plan është vetëm një aspekt i suksesit të goditjes së dënimit.

“Ka lojtarë që janë të veçantë në leximin e lojës. Në nivelin më të lartë, Sergio Ramos më vjen në mendje. Kudo që ta vendosni topin, mund të vini bast se ai do të gjejë një mënyrë për ta përfunduar aksionin me goditje të topit. Koha është gjëja më e rëndësishme kur bëhet fjalë për përfundimin e një goditjeje të dënimit”, shtoi trajneri italian.

Mësimet nga “Euro 2020”

Vetëm një nga 142 golat e shënuar në “Euro 2020” erdhi nga një goditje e lirë direkte në portë. Ai gol u shënua nga Danimarka - një skuadër tjetër që punësoi një trajner të goditjeve standarde për këtë turne - kundër Anglisë në gjysmëfinale. Goditja e Mikkel Damsgaardit ishte fantastike, por goli gjithashtu shfaqi punën e Mads Buttergeitit, trajnerit të goditjeve standarde të angazhuar nga skuadra. Damsgaard u ndihmua nga tre qendërmbrojtësit danezë, të cilët u rreshtuan në të majtë të murit mbrojtës dhe më pas u zhvendosën në të djathtë, pikërisht kur ai ishte gati të bënte gjuajtjen. Lëvizja e tyre ndikoi në këndvështrimin e Jordan Pickfordit dhe kur portieri ishte përshtatur për të lëvizur në të djathtë, topi po fluturonte në këndin e sipërm të portës në krahun tjetër. Goli ishte një dëshmi e aftësisë së Damsgaardit, por gjithashtu ishte një gol i të gjithë ekipit danez që bashkëpunoi në këtë rast me instruksionet e trajnerit Buttergeit.

“Mënyrën e të menduarit se një gol i caktuar është disi një gol i lehtë, nuk mund ta kuptoj”, thotë Buttergeit. “Puna ekipore e përfshirë në të është fantastike”.

Buttergeit dhe Vio kanë diçka të përbashkët: ata të dy kanë punuar me Matthew Benhamin, pronarin e skuadrave Midtjylland dhe Brentford, i cili bëri një pasuri si lojtar profesionist i bixhozit. Në vitin e parë të Benhamit në Midtjylland, në sezonin 2014/15, klubi fitoi titullin e Superligës daneze për herë të parë, ku një pjesë të meritave e kanë edhe goditjet e dënimit që ishin të suksesshme. 25 nga 65 golat e Midtjyllandit atë sezon erdhën nga goditjet e dënimit. Niveli më i lartë në ligë ishte 11 deri atëherë. Trajnerët specialistë zakonisht punësohen për të siguruar përfitime të pjesshme, por shënimi i golave nga goditjet e dënimit dyfish më shumë se skuadrat kundërshtare është një avantazh i madh.

Dalja nga hija

Trajnerët e goditjeve standarde nuk janë më nën hije. Klubi më i vjetër profesional në botë, Notts County, kohët e fundit punësoi Alex Claphamin si ndihmëstrajner për të udhëhequr qasjen për goditjet e dënimit në National League.

Sa më të larta të jenë divizionet e futbollit në Angli, aq më e madhe është kërkesa për trajnerët e goditjeve standarde. Nicolas Jover u transferua nga Manchester City në Arsenal gjatë verës për të zëvendësuar Andreas Georgsonin, i cili tani është duke punuar në Malmo. Ashtu si Buttergoat, Vio e Jover edhe Georgson kishte periudha të qëndrimit te Brentfordi.

Kthimi i Cristiano Ronaldos në “Old Trafford” ishte lëvizja e profilit më të lartë në afatin kalimtar të verës në Angli, por emërimi i Eric Ramsayt mund të jetë po aq domethënës. Manchester Unitedi arriti ta shkëpusë Ramsayn nga Chelsea, ku ai ishte trajneri në ekipin U23. Në shtator të vitit 2019, Ramsay u bë britaniku më i ri që fitoi një licencë “UEFA Pro”, në moshën 27-vjeçare.

Pas punës si trajner i akademisë në Swansea dhe Shrewsbury, ai është një nga yjet në rritje në botën e stërvitjeve. Ole Gunnar Solskjær identifikoi goditjet e dënimit si një dobësi për ekipin e tij sezonin e kaluar. Manchester United pësoi 14 gola nga goditjet e dënimit dhe shënoi vetëm shtatë. E pikërisht Solskjaer ishte i rëndësishëm në United duke punësuar dikë për këtë rol specifik. Emërimi i Ramsay shënon një rritje në qasjen e Unitedit ndaj goditjeve të dënimit. Para se të bashkohej me klubin, ndihmëstrajneri Martyn Pert dhe trajneri i portierëve Richard Hartis kishin përgjegjësinë e përbashkët për goditjet e dënimit. Ramsay do të ndihmohet nga Tom Green, analist i goditjeve të dënimit për klubin.

Nëse Ramsay është po aq efektiv sa Vio ose Buttergeit, atëherë ai mund të ketë po aq ndikim që Unitedi të fitojë titullin e parë në Premier League pas nëntë vjetësh sikurse Ronaldo, Jadon Sancho e Raphael Varane.