Xavi Hernandez tashmë ka marrë komandën e plotë te Barcelona. Trajneri i ri i Barçës prej së martës ka nisur stërvitjet, kurse dëshiron që të ketë rregulla që lojtarët duhet t'i respektojnë. Ai tha se “kur kisha rregulla, gjithçka shkoi mirë”.
Xavi të hënën u prezantua në “Camp Nou”. Në postin e trajnerit ka zëvendësuar Ronald Koemanin e shkarkuar, kurse ka firmosur kontratë deri në vitin 2024. Barcelona këtë sezon nuk ka pasur rezultate të mira dhe prej disa kohësh paraqitja e lojtarëve është nën vëzhgim. Jo vetëm për mungesë intensiteti, por edhe për një situatë të pashpjegueshme dëmtimesh që po rrënon zhveshtoren. Ndjenja se lojtarët po stërviteshin pak kohët e fundit është forcuar për shkak të reflektimeve të disa ish-futbollistëve të Barcelonës, si Malcom dhe Konrad de la Fuente.
Xavi e ka plotësisht të qartë se kjo duhet të korrigjohet dhe në prezantimin para lojtarëve ai e bëri të qartë se një nga objektivat e tij është të kërkojë zgjidhje të menjëhershme. Gjëja e parë që Xavi do ta bëjë është zgjatja e orarit të punës. Synimi i tij është që në ekip tash e tutje të ketë rregulla pune dhe futbollistët tashmë janë paralajmëruar se duhet të heqin dorë nga zakonet e përditshme, që sipas Xavit nuk ishin fare të dobishme.
Xavi automatikisht ka kërkuar që futbollistëve t’u zgjatet orari i punës, që do të thotë se prania e tyre në qendrën stërvitore “Ciutat Esportiva” nuk do të jetë vetëm një orë e gjysmë, por do të trefishohet. Krahas stërvitjes së rregullt, Xavi do të punojë me lojtarët edhe gjëra specifike, që do të kërkojë të implementohen në ndeshjet zyrtare. Ideja e zgjatjes së orarit ka të bëjë me lojtarët që duhet të jenë në “Ciutat Esportiva” gjysmë ore para stërvitjes dhe të fillojnë me një mëngjes në grup, ku stafi i Xavit do ta kontrollojë edhe ushqimin. Për dallim prej lojtarëve, Xavi me stafin e tij do të jenë të pranishëm në qendrën stërvitore dy orë më herët për t’u kujdesur edhe për ushqimin që do t’u servohet futbollistëve. Vonesat do të dënohen, shkeljet e rregullave gjithashtu. Lojtarët nuk do të kenë jetë të natës dy ditë para secilës ndeshje dhe e kanë të obliguar të paraqiten në klub gjatë dy ditëve. Dhe nëse ka mungesa, ato duhet të justifikohen. Lejen për mungesa mund ta japë vetëm stafi teknik.
Gjithashtu do të kërkohet që përqendrimi i lojtarëve të jetë vetëm në ndeshjen e radhës dhe ata nuk guxojnë në asnjë mënyrë të shpërqendrohen me vizita të ndryshme nga njerëzit jashtë stafit të Xavit. Aktivitetet fizike të rrezikshme janë të ndaluara dhe Xavi nuk do të bëjë përjashtim për askënd. Kjo është bërë për shkak se lojtarët gjatë pushimit çlodheshin duke bërë edhe “snowboard” apo shëtisnin me biçikleta elektrike. Tash e tutje nuk do të lejohet asnjë aktivitet i tillë, që sipas Xavit është i rrezikshëm për lojtarët e tij dhe i kursen ata nga lëndimet.
Ish-mesfushori kreativ gjithashtu synon të promovojë ushtrime për parandalimin e dëmtimeve, si dhe të caktojë detyra specifike për të shfrytëzuar virtytet e secilit lojtar. Për shembull tek Ousmane Dembele, i cili është sprinter dhe ka nevojë për përgatitje të ndryshme prej të tjerëve. Ai gjithashtu do të përmirësojë aspekte të tjera të punës si vetë seancat e trajnimit, seancat e taktikave dhe strategjive specifike.
Xavi dëshiron që skuadra të ushqehet në klub. Qëllimi i tij përfundimtar është që futbollistët të respektojnë rreptësishtë këto rregulla, me një kod të rreptë disiplinor, në përputhje me atë që jetoi me Pep Guardiolën, me Tito Vilanovan dhe në vitin e parë të Luis Enriques.
Xavi ka marrë vendim edhe për largimin e Juanjo Braut, i cili ka qenë për disa vite në krye të fizioterapeutëve të klubit. Pas serisë së fundit të lëndimeve, ardhja e Xavit nënkupton ndryshime në të gjitha fushat. Ivan Torres do të jetë kreu i përgatitjes fizike dhe Carlos Nogueira i fizioterapeutëve.