Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrathët olimpikë në Prishtinë në shënim të Ditës Olimpike

Prej të martës edhe Kosova do të ketë rrathët olimpikë. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, bashkë me ministren për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, dhe rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, kanë zbuluar rrathët olimpikë.

Rrathët pesë-ngjyrësh që simbolizojnë pesë kontinente, janë vendosur para Shtëpisë së Sportit në Prishtinë.

“Sot është Dita Olimpike, një ditë e veçantë për sportistët e Kosovës dhe komunitetin e sportit. Dita Olimpike lidhet me themelimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Më 23 qershor të vitit 1894 janë ringjallur Lojërat Olimpike dhe që nga atëherë Lojërat Olimpike mbahen çdo katër vjet. Kjo ditë Kosovën e gjen në një moment të mirë, kur kemi pesë norma olimpike nga xhudoja dhe një nga mundja si dhe presim që edhe ndonjë sportist tjetër ta kemi me normë olimpike dhe të përfaqësohemi sa më mirë”, ka thënë Besim Hasani, raporton KOK-u.

Po të martën janë mbjellë pemë nga federatat sportive si dhe xhudistet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova dhe trajneri i tyre Driton Kuka. Pemët janë mbjellë në kampusin e Universitetit të Prishtinës.