Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, ka gjasa të largohet nga skuadra e Napolit në fund të këtij edicioni. Mediumet italiane kanë raportuar të mërkurën se te Napoli po mendojnë për shitjen e Rrahmanit në verë, pasi mbrojtësi kosovar nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm këtë edicion.
E në rast se Napoli e nxjerr në shitje Rrahmanin, atëherë thuhet se skuadra e Atalantas do ta tentojë transferimin e tij.
Rrahmani ka kontratë me Napolin deri në vitin 2027, si dhe opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër.
29-vjeçari këtë edicion ka regjistruar 16 paraqitje në të gjitha garat për Napolin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2020.
Edicionin e shkuar, Rrahmani ishte ndër më të dalluarit të Napoli, duke e ndihmuar skuadrën ta fitojë titullin e kampionit të Italisë pas më shumë se tri dekadave. Aktualisht, çmimi i Rrahmanit në tregun e futbollit është 20 milionë euro.