Mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani ka thënë se po largohen nga Liga e Kampionëve me kokën lart.
Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë, Barcelona të martën mbrëma fitoi 3:1 para tifozëve të saj për të avancuar në çerekfinale të Championsit. Rrahmani shënoi golin për Napolin që deri në fund e kërkoi barazimin. Por goli i Robert Lewandowskit për 3:1 në minutën e 83-të, i dha fund dilemës.
“Mund të largohemi duke mbajtur kokën lartë. Kemi rrezikuar dhe kemi luajtur futbollin tonë. Kemi mundur të bëjmë më mirë, por nuk kemi shfrytëzuar shanset tona”, ka thënë Rrahmani për “SportMediaset” pas ndeshjes.
Ai shënoi gol të bukur në minutën e 30-të. Për kapitenin e Kosovës ishte goli i parë në Ligën e Kampionëve.
“Kemi vuajtur në fillim, duke tentuar të bëjmë presion të lartë në fushë, por kemi bërë gabime. Kemi krijuar shumë, por nuk kemi shënuar kur është dashur të shënojmë”, ka shtuar Rrahmani.