Mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, ka thënë se nuk është ende koha të flasë për titull të kampionit. Por ka shtuar se është ëndërr e secilit te Napoli për ta fituar titullin e kampionit në Itali.
“Jemi të vetëdijshëm që është ende herët për të folur për titull. Kemi ëndërr dhe qëllim të madh të përbashkët me shikuesit për të arritur një sukses. Ne duam të kujtohemi si heronj, siç tha trajneri. Ne do të përpiqemi deri në fund”, ka thënë Rrahmani të enjten për një radio lokale të Napolit.
Napoli të dielën do të luajë derbin ndaj Milanit, që po ashtu është në garë për titull të kampionit në Serie A. Ndeshja luhet në Napoli dhe i takon javës së 28-të të Serie A.
Kapiteni i Kosovës thekson se synojnë të mos e lejojnë Milanin t’u shënojw gol.
“Me Milanin do të përpiqemi të mos pësojmë asnjë gol. Synojmë ta mbajmë portën e paprekur”. Ai ka theksuar se ka qenë një fitore e rëndësishme e Napolit ndaj Lazios.
“Me Lazion ishte një fitore e rëndësishme për të vazhduar të qëndrojmë lart në renditje. Tani jemi në një fazë kur të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme dhe mund të ketë deri në fund të paktën 4-5 ekipe në luftë për titull. Atalanta dhe Juventusi gjithashtu mund të kthehen. Gjithçka mund të ndodhë”, është shprehur Rrahmani.
Edhe
Rrahmani: Shtëpia ime tani është në Napoli
Ai nga tifozët e Napolit krahasohet me Raul Albiolin. Albiol aktualisht është pjesë e Villarrealit në Spanjë, ndërsa për Napolin ka luajtur nga viti 2013 deri në vitin 2019.
“Nëse e thonë tifozët, jam i lumtur. Kam nevojë për vazhdimësi dhe të luaj me Koulibalyn është gjithmonë më e lehtë. Ai është i mrekullueshëm. Edhe kur kisha pak hapësirë, besoja në aftësitë e mia. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe ndoshta të përmirësohem më shumë”, ka thënë Rrahmani.