Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, ka thënë se lojtarët kanë dhënë më të mirën në ndeshjen ndaj Greqisë. Por kjo nuk mjaftoi për të nxjerrë rezultat pozitiv.
“Ishte një ndeshje e vështirë. Kundërshtari ishte i komponuar dhe i organizuar mirë në mbrojtje. Kemi pasur vështirësi të organizojmë raste. Të gjithë kemi dhënë më të mirën. Kemi pak kohë që i kemi filluar përgatitjet me klubet tona. Nuk është problem që jemi në Ligën C. Ne kemi luajtur me ekipe më të forta. Po flas për vete, me pesë ditë përgatitje erdha këtu”, ka thënë Rrahmani. “Nuk e kemi nivelin më të mirë fizik. Besoj që ky është shkaktari i lojës sonë jo të mirë. Në fushë nuk është se po vërehet pasi po mundohemi të japim maksimumin kur e kemi topin”.
Ai i është bashkuar Napolit këtë verë nga Verona, ndonëse transferimi u realizua në janar. Te Napoli shpreson të luajë rregullisht.
“Normalisht që nga janari kam firmosur me një ekip të madh. Është një storie tjetër me atë të Veronës. Kërkohen suksese. Napoli është ekip që garon në Evropë. Shpresoj që ta kem hapësirën dhe të luajë”, ka thënë ai.