Sport

Rrahmani beson që Kosova mund ta mposhtë Çekinë për t’u kualifikuar në “Euro 2020”

Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, ka thënë se lojtarët e Kosovës presin ndeshje të vështirë ndaj Çekisë, por do të luftojnë për fitore që rrit shanset për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Në konferencën për media pas stërvitjes së parë të hënën, Rahmani ka thënë pret që përballje me Çekinë të jetë me tensione dhe që Kosova duhet të mendojë vetëm për fitore dhe kualifikim.

Ekipet përballen me fillim prej orës 20:45 në Plzen me Kosovën që nëse nuk fiton shanset do t’i ketë minimale për t’u kualifikuar përmes kualifikimeve të rregullta.

Ai ka thënë se “Dardanët” nuk duhet të mendojnë për shanset për kualifikim përmes Ligës së Kombeve, por duhet të mendojnë vetëm për kualifikimet e rregullta.

“E dimë që është një ndeshje shumë e vështirë, sepse luajmë me kundërshtarin direkt për vendin e dytë edhe dihet që ndeshjen e parë e kemi fituar në shtëpi 2-1, atje do të jetë një ndeshje shumë ndryshe, me shumë presion. Çekia ka presion më të madh se ne, kështu që do të jetë një ndeshje me tension dhe e jona është të japim maksimumin”, ka deklaruar ai, transmeton KP. “Përderisa kemi shansin të kualifikohemi përmes kualifikimeve, besojmë që mundemi dhe ne do ta provojmë. Kemi thënë tërë kohën që nuk duhet të mendojmë për Ligën e Kombeve, sepse kemi përpara kualifikimet direkt, besoj që krejt lojtarët janë të fokusuar aty”.

Kosova aktualisht është e treta në Grupin A kualifikues me 11 pikë, një më pak se Çekia që është e dyta dhe katër më pak se Anglia që i prin grupit. Pas përballjes direkte për vendin e dytë të enjten, Kosova të dielën pret në Prishtinë Anglinë, ndërsa Çekia përballet me Bullgarinë që është e fundit me vetëm tri pikë.