Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rossi do të vendosë të ardhmen para se të fillojë edicioni

Motoçiklisti legjendar italian, Valentino Rossi, ka thënë se dëshiron të garojë edhe vitin e ardhshëm, kur do të jetë 42-vjeçar. Por Rossi fillimisht do të shoh se si do të garojë këtë edicion.

Garat e serisë kryesore të motoçiklizmit, Moto GP janë shtyrë deri në fund të qershorit për shkak të pandemisë Covid – 19.

Rossi do të largohet nga skuadra kryesore e Yamahas në fund të vitit 2020, por ka një vend në ekipin Petronas Yamaha, nëse e dëshiron atë. Nëse ka interes, ai do të ndërroj vendet me francezin 21-vjeçar, Fabio Quartararo.

“Mendoj se do të më duhet të vendos para se të fillojnë garat. Në situatën më optimiste ne do të mund të garojmë në gjysmën e dytë të stinorit, pra në gusht apo shtator. Shpresoj të ndodhë kjo, nëse çdo gjë është mirë”, ka thënë Rossi, raporton Reuters.

“Por unë duhet të marr një vendim më herët. Dua të vazhdoj, por duhet të vendos pa bërë ndonjë garë. Nuk është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund, pasi ndoshta nuk do të garojmë fare këtë vit. Është më e drejtë të bëjë edhe një kampionat dhe më pas të përfundoj. Shpresoj të vazhdoj në vitin 2021”, ka shtuar Rossi.

Rossi është fenomen i motoçiklizmit. Ka nëntë tituj të botës në të gjitha kategoritë dhe shtatë në kategorinë kryesore.

Është i vetmi që ka kompletuar mbi 400 gara Grand Prix dhe po ashtu ka karrierën më të gjatë me fitore në të. Ka plot 89 fitore në kategorinë kryesore, ndërsa ka fituar përgjatë 20 viteve.

Ylli italian kishte thënë në janar se i duhen disa përgjigje nga garat e para para se të vendos për të vazhduar në vitin 2021. Rossi po qëndron i izoluar në Itali.

“Opsioni i parë është të provoj të vazhdoj, pasi kam mjaftueshëm motiv dhe dua të vazhdojë. Por është shumë me rëndësi të kuptojë nivelin e garimit. Sidomos në pjesën e dytë të vitit të kaluar kemi vuajtur shumë. Shumë herë isha i ngadalshëm dhe nuk kam qenë në garë për pesë pozitat e para. Më duhen pesë, gjashtë gara për të vendosur”.

Artikuj të ngjashëm