Portugalia do të luajë në kualifikimet e Botërorit me Cristiano Ronaldon, që do ta ketë një tjetër shans për ta thyer rekordin si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në futbollin e meshkujve në nivel përfaqësuesesh.
Përzgjedhësi Fernando Santos të enjten e përfshiu Ronaldon në skuadrën e Portugalisë, që do të ketë shumë lojtarë që dhanë kontribut në Evropianin e sivjetmë.
Ronaldo e shënoi golin e 109 me Portugalinë në “Euro 2020” dhe e barazoi në këtë statistikë ish-sulmuesin e Iranit, Ali Daei.
Santos tha se Ronaldo e la stërvitjen me Juventusin të mërkurën për shkak të një lëndimi në krah, por do të jetë i gatshëm t’i bashkohet përfaqësueses.
Shtatë lojtarë nga “Euro 2020” u lanë jashtë listës së Santos, përfshirë edhe Joao Felixin e Atletico Madridit për shkak të lëndimit. Të tjerët që nuk janë përfshirë janë Nelson Semedo, William Carvalho dhe Renato Sanches. Ricardo Pereira dhe Joao Mario janë kthyer në listë edhe pse nuk ishin pjesë e Evropianit.
Santos futi në listë tre emra të rinj, mesfushorin e Portos, Otavio, mbrojtësin e Sportingut, Gonçalo Inacio dhe portierin e Portos, Diogo Costa.
Portugalia luan kundër Irlandës dhe Azerbajxhanit në shtator. Do të luajë edhe kundër nikoqirit të Botërorit, Katarit.