Pesë herë futbollisti më i mirë në botë, Cristiano Ronaldo thotë se nuk është asnjë futbollist në botë me “talentin, përkushtimin dhe etikën e punës”, përderisa insiston se askush nuk mund të krahasohet me të.
Ylli i Real Madridit vazhdon të jetë në “luftë” me yllin e Barcelonës, Leo Messi dhe debate të shumta vazhdojnë të zhvillohen se cili prej tyre është më i mirë, transmeton Koha.net. Ronaldo beson se ai është numri një në botë në shumë kategori.
Duke folur në një reklamë për Nike, ai thotë se, “në fillim ëndërroja të bëhesha lojtari më i mirë në botë. Shokët më shikonin mua si ‘për çfarë po flet?’. Kam luajtur për t’u kënaqur, për shaka, por në mendjen time ai potencial filloi në Manchester, aty fillova ta besoja”.
Ai thotë se nuk sheh shumë njerëz me përkushtimin e tij.
“Nuk shoh shumë njerëz me talentin tim, përkushtimin, punën, dhe etikën në futboll. Askush nuk krahasohet me mua, askush nuk do të jetë Cristiano Ronaldo. Do të jesh vetja, unë do të jem vetja”, shprehet ylli portugez.
Ronaldo ka shënuar 562 gola në 753 ndeshje në karrierën e tij, përderisa ka pasur sukses të jashtëzakonshëm me Manchester Unitedin, Real Madridin e Portugalinë.