Roma do të jetë nikoqire e skuadrës së pamposhtur në Serie A, Napolit, të dielën. Kjo ndeshje do të luhet nga ora 20:45 dhe i takon xhiros së 11-të të elitës së futbollit të Italisë.
Napoli është i pari në tabelë me 26 pikë pas 10 ndeshjeve dhe është në seri prej 10 fitoreve në të gjitha garat.
Roma është e katërta me 22 pikë dhe e ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet e fundit në ligë kundër skuadrave të kreut të tabelës.
Roma pritet të jetë pa argjentinasin Paulo Dybala, golashënuesin më të mirë me pesë gola në tetë ndeshje të ligës. Ai ka dëmtim muskulor, të cilin e mori në fitoren 2:1 në shtëpi kundër Lecces.
Fqinja e Romës, Lazio, do të jetë pa sulmuesin kryesor, Ciro Immobile, i cili përfundoi në vendin e parë në listën e golashënuesve më të mirë tri herë. Skuadra e Maurizio Sarrit udhëton të dielën tek Atalanta, që pozicionohet në vendin e dytë. Atalanta – Lazio luhet nga ora 18:00.
32-vjeçari Immobile nuk do të jetë i gatshëm për lojë deri në vitin 2023.
Atalanta, njësoj si Napoli, është në seri prej 10 ndeshjeve pa disfatë në fillim të sezonit, që është rekord i klubit.
Kampioni në fuqi, Milani, që zë pozitën e tretë në Serie A, tri pikë larg Napolit, i mirëpret Charles de Ketelaeren dhe Simon Kjaerin, të cilët kanë lënë prapa lëndimet.
Ndeshja Milan – Monza do të zhvillohet të shtunën nga ora 18:00. Do të jetë rikthim i Silvio Berlusconit dhe Adriano Gallianit në stadiumin “San Siro”.
Lajme të mira ka marrë ekipi i vendit të shtatë, Interi. Sulmuesi Romelu Lukaku mund të jetë i gatshëm për trajnerin Simone Inzaghi.
Interi luan të shtunën në udhëtim te Fiorentina nga ora 20:45.