Drejtori sportiv i Romës, Monchi, ka paralajmëruar se klubi do të marrë hapa ligjor pasi Malcomi vendosi për transferimin te Barcelona.
Roma dje zyrtarizoi arritjen e marrëveshjes për brazilianin dhe pritej që të arrinte të hënën për të kompletuar transferimin, por ai ndërroi mendje kur Barça bëri ofertë në momentet e fundit.
“Çfarë ndodhi me Malcomin është e lehtë për ta sqaruar, por e komplikuar për ta kuptuar”, ka thënë Monchi derisa prezantoi portierin Robin Olsen.
“Ishte lojtar që na pëlqente dhe kishte profilin që po kërkonim. Filluam bisedimet me Bordeaux dhe agjentin e tij. Pas disa ditësh punë, ne arritëm marrëveshje dje në orën pesë. Marrëveshja ishte arritur me agjentin e tij dhe Bordeaux”, ka sqaruar drejtori sportiv i Romës.
“Klubi i dha leje lojtarit dhe pritej të arrinte mbrëmë në orën 11. Ishim të qetë dhe të bindur. 13 minuta pas marrëveshjes me Bordeaux, presidenti më telefonoi dhe më tha se ishte mirë për ata që të publikonin një komunikatë zyrtare për marrëveshjen. Për ne ishte më mirë, jo vetëm për shkëmbimin valutor, por ata insistonin dhe e bën këtë”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.
“Pas kësaj, edhe ne u detyruam të vepronim njëjtë. Një orë më vonë, dolën zërat për interesimin e Barcelonës. E dija se ka shumë klube të interesuara, përfshirë edhe Barcelonën. Për këtë shkak donim që të arrinim marrëveshje sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Monchi.
Edhe
Barcelona konfirmon lëndimin e De Jongut
“U befasova kur njëri prej përfaqësuesve të tij më telefonoi dhe më tha se Bordeaux kishte bllokuar fluturimin në Romë. Atë moment telefonova presidentin e Bordeaux dhe më tha se Barça kishte dërguar ofertë më të mirë dhe se ne duhej të bënim ofertë të njëjtë”, ka treguar ai.
“I thash se kishim marrëveshje, por ai më tha se ne nuk kemi nënshkruar asgjë. Telefonova Pallotan [presidentin e Romës] dhe më tha se mund të bënim ofertë më të lartë. Pastaj telefonova presidentin [e Bordeaux] dhe i thash se mund të bëjmë ofertë më të mirë. Ai na tha se duheshin dokumente të nënshkruara me ofertën e re dhe ia dërgova atij. Pastaj më tha se Malcom do të arrinte një ditë më vonë”.
“Në orën 11, agjenti i tij më ta se do të rregullonin çdo gjë, por në mesditë ata më thanë se duhej të bënim një tjetër ofertë sepse Barcelona po insistonte. Këtu thash ‘kjo ishte e tëra’ sepse nuk donim të shkonim në ankand. Dje vepruam kështu sepse ishte dëshira e presidentit, por nuk mund të shkonim më tepër”.