Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Roma kërkon të kthehet te fitorja ndaj Napolit

Skuadra e Romës ka një mision të vështirë në kuadër të xhiros 17-të në Serie A të Italisë. Pas dy ndeshjeve pa fitore, ku ka regjistruar një humbje e një barazim, Roma po synon të kthehet te pikët e plota në duelin kundër Napolit. Kjo ndeshje, në fakt, është edhe më interesantja e këtij vikendi në kampionatin e Italisë. Ndeshja luhet të shtunën prej orës 20:45 në stadiumin “Olimpico” të Romës dhe ekipi i trajnerit Jose Mourinho është maksimalisht i motivuar për ta mposhtur kampionin në fuqi. Romës ndaj Napolit i rikthehet sulmuesi Romelu Lukaku, i cili i mungoi xhiron e shkuar për shkak të suspendimit.

Roma u mposht xhiron e kaluar në udhëtim te Bologna dhe aktualisht zë vendin e tetë në tabelë me 25 pikë, dy më pak se Napoli që është i pesti. Napoli vetëm xhiron e shkuar u rikthye tek fitorja pas dy humbjeve rresht në derbit me Juventusin dhe Interin. Mposhti Cagliarin dhe tani është në kërkim të fitores së dytë rresht, por këtë herë përball ka një kundërshtar dukshëm më të fortë.

Të shtunën, por më herët do të luhen edhe pesë ndeshje tjera të kësaj xhiroje të kampionatit italian. Interi pritet të vazhdoj me fitore dhe të forcohet në krye të tabelës, pasi luan në shtëpi kundër skuadrës së Lecces, ndeshje kjo që nis në orën 18:00, sikurse edhe përballja mes Veronës e Cagliarit. Interi prin në tabelë me 41 pikë, katër më shumë se Juventusi që pas barazimit xhiron e shkuar me Genoan, të shtunën luan në udhëtim te Frosinone.