I gjithë fokusi në xhiron e 21-të në Serie A do të jetë te skuadra e Romës. Roma të shtunën prej orës 18:00, në stadiumin “Olympico”, përballet me Veronën, në ndeshjen hapëse të kësaj xhiroje. Në krye të Romës ndaj Veronës do të debutojë ish-legjenda e klubit, Daniele de Rossi. De Rossi ditë më parë u angazhua trajner te Roma, duke firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni. De Rossi në këtë post e zëvendësoi Jose Mourinhon e shkarkuar për shkak të rezultateve të dobëta. Roma nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit kampionale, ku ka marrë vetëm një pikë dhe aktualisht renditet e nënta në tabelë me 29 pikë të mbledhura. Roma shihet favorite përballë Veronës, ekip që është në zonën e rënies nga elita e futbollit italian me 17 pikë të mbledhura, por që ka dy fitore në pesë ndeshjet e fundit.
Të shtunën luhet edhe një ndeshje, por prej orës 20:45. Skuadra e Udineses, që ka vetëm një fitore në pesë duelet e fundit në kampionat, e pret në shtëpi Milanin. Për dallim prej Udineses, që është në pjesën e poshtme të tabelës, Milani zë vendin e tretë me 42 pikë dhe nuk di për humbje në pesë ndeshjet e fundit, ku ka katër fitore e një barazim.
Të dielën zhvillohen katër ndeshje të kësaj xhiroje, e cila nis në orën 12:30 me përballjen mes Frosinones dhe Cagliarit. Në orën 15:00, Empoli e pret Monzas, ndërsa Salernitana dhe Genoa luajnë prej orës 18:00.
Në duelin e mbrëmjes, që nis në orën 20:45, Lecce luan në shtëpi kundër Juventusit. Me fitore eventuale, Juventusi do ta parakalonte Interin në krye të tabelës. Aktualisht Juventusi është i dyti me 49 pikë, dy më pak se Interi që nuk luan këtë xhiro. Krahas Interit në këtë xhiro nuk luajnë as Napoli, Lazio e Fiorentina për shkak të angazhimit në turneun e Superkupës së Italisë. Juventusi ndaj Lecces synon fitoren e pestë rresht në kampionat dhe vlerësohet favorit absolut në këtë përballje.