Rita Zeqiri ka një mision të veçantë për ta kryer, në muajin maj.
Ish-notarja Rita Zeqiri, për 12 vjet sa është marrë me sportin e notit, ka qenë kampione e shumëfishtë në Kosovë dhe pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Rio 2016.
Megjithatë, pas pauzës prej dy vjetësh, Zeqiri është kthyer përsëri me aktivitete sportive, tani me një synim të madh.
Të bëhet shqiptarja e parë që e kryen tregarëshin që ndryshe quhet Ironman, seri e garave të gjata të Triathlonit.
Ironman 70.3 Pays d’Aix do të mbahet në qytetin Aix en Provence në Francë, ku 2500 sportistë nga 50 shtete do të garojnë më 12 maj të këtij viti. Është edhe Triathlon që njihet ndërkombëtarisht.
Edhe
Rita, shqiptarja e parë që kryen garën “Ironman 70.3”
Për të dalë në finish në garën që shumë pak njerëz e përfundojnë para moshës 25-vjeçare, vullneti i 23-vjeçares Zeqiri nga Prishtina, është i jashtëzakonshëm.
Duhet me vite të tëra për të arritur deri te një sukses i tillë, e Rita këtë gjë synon ta bëjë falë stërvitjeve të kombinuara brenda ditës, të nisura që prej dhjetorit, raporton KTV.
Meqenëse noti është gara e parë e këtij Ironmani, Rita punon në disa disiplina, në mënyrë që ta ruajë energjinë dhe freskinë edhe për dy garat tjera. Gara e notit është e gjatë 1.9 kilometra.
23-vjeçarja, tani edhe trajnere e notit, ka menduar që gara e fundit do të jetë ajo e Olimpiadës në Rio dhe se nuk do të kthehet në sport në mënyrë profesionale.
Por, ajo, përveçse i është kthyer notit, ka vazhduar edhe me aktivitetet e çiklizmit, diçka që e bën me shumë pasion.
Garën e çiklizmit, të gjatë 90 kilometra, e sheh si disiplinën më të vështirë në Triathlon. Pavarësisht kësaj, Zeqiri stërvitet me biçikletë si në ambient të mbyllur, ashtu edhe në të hapur.
Edhe
Zeqiri bëhet shqiptarja e parë që kryen Ironmanin
E, në ndonjë prej stërvitjeve që i bën në vende të ndryshme në vend, e ka testuar veten edhe në distancë 100 km, të cilën thotë se e ka përfunduar pa problem.
Shtegu i biçikletës, ku ajo do ta bëjë garën në Francë, është mjaft i vështirë, por Rita insiston se edhe në vendin tonë ka pista të ngjashme dhe po i përshtatet mjaft shumë.
Në përgatitjet e vrapimit, që është edhe gara e fundit e Triathlonit apo Ironmanit në Francë, e gjatë 21.1 kilometër, Rita pësoi lëndim në ligamente.
Vullnetin, pasionin dhe dëshirën e madhe për synimin që ajo ka, nuk ia ndali ai dëmtim, pasi iu kthye vrapimit në kohë rekord, brenda nëntë ditësh.
Zeqiri vazhdon tutje duke thënë se nuk do ta ketë aspak problem. Ajo, vitin e kaluar, në një maratonë jashtë vendit, doli e treta.
Përveç përgatitjeve fizike, është edhe një element tjetër, ndoshta më i rëndësishmi i garës. Ish-kampionia e Kosovës në not, thotë se atë e ka ndoshta pikën më të fortë.
Edhe
Rita Zeqiri fiton kampionatin e parë të Kosovës në Triathlon
Pas kësaj ngjarjeje, Rita zotohet se do të vazhdojë në ngjarje edhe më të mëdha, në distancë Olimpike apo Sprint Triathlon.
Vetëm dy shqiptarë që nuk jetojnë në Kosovë kanë arritur ta përfundojnë Ironmanin. Rita do të bëhej femra e parë shqiptare që do ta arrinte një gjë të tillë, ndërsa Kosovën në Francë, do ta përfaqësojë edhe Sami Morina.