Shqipe Tahiri ishte kapitene në vitin 2009, kur Kosova e Vushtrrisë e fitoi titullin e fundit. Pivotja ishte kapitene edhe të shtunën mbrëma, kur skuadra nga qyteti i vjetër, tani me emrin Vushtrria, fitoi titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Vushtrria gjatë gjithë edicionit ishte nën hijen e Istogut, por në momentin vendimtar, në minutat e fundit të ndeshjes përcaktuese, pushtoi skenën dhe siguroi titullin. Kontributi i Shqipe Tahirit vlerësohet i madh
“Kosova” quhej skuadra e hendbollit nga Vushtrria, e cila kishte fituar titullin e kampionit në vitin 2009 në konkurrencën e femrave. Ndërkohë, klubi ndryshoi emrin në “Vushtrria”, por titulli i kampionit nuk erdhi për më shumë se një dekadë.
Pritjes së gjatë të vushtrriaseve i erdhi fundi të shtunën mbrëma. Ndonëse autsajdere, Vushtrria fitoi në udhëtim ndaj Istogut me rezultatin 22:21. Ndeshja ishte dramatike dhe e fortë, ndërsa Vushtrria erdhi te fitorja e rrjedhimisht te titulli i kampionit falë një rikthimi jo shumë të zakonshëm.
Kur po luhej minuta e 56-të e takimit, Istogu përmes kapitenes Albina Rugova shënoi për rezultatin 21:17. Pra, katër minuta para fundit kishte epërsi prej katër golave. Por, vushtrriaset nuk u dorëzuan. Ia dolën të shënojnë pesë gola rresht për të fituar në fund me 22:21. Luljeta Sopjani shënoi për 21:21, ndërsa për 22:21 realizoi Donita Kasumi. Fare në fund, portierja e Vushtrrisë, Njomza Kelmendi, ndali një goditje të Esma Muratoviqit për fitoren e madhe.
Angazhimi i madh i lojtareve vushtrriase bëri dallimin të shtunën në Istog, pa përjashtuar gabimet e skuadrës vendase në fund. Për angazhim, si gjithnjë, u shqua kapitenia e vushtrriaseve, Shqipe Tahiri. Pivotja Tahiri ka qenë kapitene edhe kur Kosova e Vushtrrisë kishte fituar titullin në vitin 2009. Shumë gjëra kanë ndryshuar prej atëherë në hendbollin kosovar, por Shqipja vazhdon që me përkushtim ta udhëheqë skuadrën për të cilën ka dhënë e jep shumë. Ka gjasa që ajo të kthehet së shpejti edhe në Përfaqësuesen e Kosovës.
“Kupën e fundit të kampionit e kam ngritur si kapitene në vitin 2009. Pas 12 vjetësh prapë e ngrita lart kupën e kampionit, pra trofeun kryesor. Është ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ndjenja më e mirë në botë. Kam 18 vjet karrierë si lojtare dhe titulli më sensacional është ky, sepse bëmë rikthim që rrallë ndonjë klub mund të bëjë”, ka thënë Shqipe Tahiri të dielën për KOHËN.
Vushtrria kishte pasur disa vite të vështira, ndërsa përkushtimi i Tahirit kishte ndihmuar që klubi të rikthehej në rrugën e sukseseve.
“Jam lojtarja e vetme e asaj gjenerate që kishte fituar titullin herën e kaluar. Dhe kjo e bën më të veçantë suksesin për mua si kapitene”.
Ajo e ka pranuar se Vushtrria nuk llogaritej favorite. Istogu në fakt i kishte fituar të gjitha 22 ndeshjet në kampionat, e po ashtu finalen e parë të plejofit. Vushtrria fitoi si vendase për të barazuar rezultatin në 1:1 në finale të plejofit, ndërsa e kompletoi rikthimin e madh me ndeshjen e dytë në Istog. Ndaj Vushtrrisë, Istogu vjeshtën e kaluar kishte fituar dy ndeshje evropiane e po ashtu dy ndeshje në kampionat të rregullt dhe finalen e parë. Tani skuadrat të enjten përballen në gjysmëfinale të Kupës, sërish në Istog.
“Është e vërtetë që askush nuk na ka llogaritur favorite, për shkak se kemi humbur ndeshjet ndërkombëtare dhe në kampionatin e rregullt. Por, ne si çdoherë synim kemi trofetë. Për shkak të lëndimeve kemi pasur mungesa gjatë kampionatit, sidomos të Burneta Ramës. Por, ajo u kthye në momentin vendimtar dhe e ndihmoi shumë ekipin në këtë sukses. Kemi nisur edicionin me shtatë lojtare me përvojë, por gjithmonë kemi thënë që Vushtrria mund të fitojë trofe edhe me shtatë lojtare, pasi jemi ekipi më luftarak në Kosovë”, ka shtuar Tahiri.
Sipas saj, tifozët “Forca” janë lojtari i tetë i Vushtrrisë. Tahiri ka falënderuar tifozët për mbështetjen e madhe.
“Ndeshjen në Istog e vendosi shpirti luftarak i ekipit. Për asnjë moment nuk jemi dorëzuar. Nuk kemi udhëtuar në Istog për humbje, por për fitore. Tani në ndeshjen për Kupë hyjmë me synime të njëjta, që të japim maksimumin dhe të mos dorëzohemi deri në fund. Në fushën e lojë, le të fitojë më i miri”, ka thënë lojtarja ikonë e klubit vushtrrias.
Shqipe Tahiri ka treguar se Komuna e Vushtrrisë e ka përkrahur klubin këtë vit.
“Kishim përkrahje të madhe nga Komuna dhe jemi falënderues. Por, presim përkrahje edhe më të madhe që klubi të paraqitet sa më mirë në ndeshjet ndërkombëtare. Vushtrria është qytet i hendbollit. Thjesht, titulli u kthye aty ku e ka vendin, në qytetin me traditë në këtë sport”.
