Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rikthehen garat e kërcimeve në Mirushë

Sot u mbajt gara e kërcimit në stilin dallëndyshe, garë kjo që u bë tradicionale pasi që organizohet tash e 68 vjet dhe përherë është mbajtur tek Ura Fshejtë në Gjakovë.

Por këtë vit kjo garë u mbajt në Ujëvarën e Mirushës. Hapja u bë me një përformancë të alpinistëve të Mirushes. Derisa në garë morën pjesë vetëm 8 garues.

Kërcimet u realizuan nga 8 metra dhe 16 metra lartësi. Vëzhgimet u bënë nga klubi i vëzhguesve nga Mitrovica “Trepça”, ndërsa ndihmësit mjekësor ishin nga Shtëpia e Shëndetit në Malishevë.

Vlerësimi i kërcimtarëve ndërkaq u bë nga juria e përbërë prej Avdyl Osmani, Tomor Musa dhe Ymer Lota, themelues të klubit “Bridge Divers”.

Tomor Musa, që është edhe pjesë e organizatorëve, tha se shpreson që gara në Mirushë të bëhet garë tradicionale, sikurse ajo në Gjakovë. Megjithëse kësaj radhe kanë marrë numër modest i kërcyesve pjesë në garë.

“Ne këtë vit e kemi organizuar garën tradicionale në Gjakovë që mbahet tek Ura e Fshejtë, mirëpo kjo ishte hera e parë që e kemi organizuar edhe në Ujëvarën e Mirushës. Kemi pas dëshirë me zgjeruar pak rrjetin e aktivitetit tonë, për të frymëzuar të gjithë të rinjtë që janë kërcyes ose dashamirë të kërcimit që të merren me këtë sport, të kenë një frymëzim për me u marrë me këtë aktivitet sportiv. Prandaj edhe e kemi organizuar. Shpresojmë që të bëhet tradicionale kjo garë, domethënë të jetë për çdo vit. Shpresojmë për ma mirë”, ka thënë Musa për KosovaPress.

Vendin e parë në kategorinë e kërcimeve prej 8 metra lartësi e ka fituar Blerim Curri, i cili tha se kjo fitore e ka bërë të ndjehet mjaft mirë.

“Mirë s’është keq. Njëjtë jam ndier edhe para edhe gjatë kërcimit, super është”, u shpreh shkurt ai.

Ndërsa fituesi i garës në 16 metra lartësi, gjithashtu edhe njëri nga organizatorët e kësaj gare, Florit Gashi, tha se ndihet shumë i kënaqur pasi gara përfundoi pa lëndime, por si u shpreh ai, ndjehet edhe më mirë pasi u shpall fitues i garës.

“Po ndihem shumë mirë, edhe pasi nuk pat lëndime kjo është edhe më e mirë si organizator që jam se kjo ishte hera e parë që e organizuam këto gara, po pasi nuk pat lëndime jam shumë i kënaqur por edhe më i kënaqur jam që e mora vendin e parë”, u shpreh ai.

Pjesë e shikuesve ishte edhe kërcimtarja e parë grua, në Kosovë, Gonxhe Basha. Ajo tha se është mjaft e kënaqur me organizimin e garës dhe me faktin që ky sport nuk po lihet anash në Kosovë.

“Më vjen mirë që ky sport ia filloi të përsëritet. Po e shoh se tani kanë marrë pjesë edhe nga qytetet tjera. Më pëlqyen garat”, tha ajo.

Organizatorët njoftuan se garat e kërcimit do të organizohen edhe javën tjetër, në liqenin e Radoniqit në Gjakovë, me kërcime nga 15 metra lartësi.

{gallery}

Artikuj të ngjashëm