Është njëri prej basketbollistëve më të rinj në moshë në skuadër, por që ka goxha përgjegjësi. Bardhi Rexha është zhvilluar në gjeneratat e reja të KB Rahoveci, kurse këtë edicion është i fokusuar në ekipin e parë, ku edhe është ngarkuar me përgjegjësi shtesë.
Edhe pse ka vetëm 18 vjet, Rexhës i është besuar shiriti i kapitenit te nënkampioni i Kosovës. Ani pse i ri në moshë, Rexha po e bën punën e kapitenit si në palestër ashtu edhe jashtë saj, shkruan sot Koha Ditore.
Krah-qendra thotë se është i nderuar që ekipi ia ka besuar një përgjegjësi të tillë. Rexha pranon se nuk ka menduar që në këtë moshë do të bëhej kapiten i Rahovecit, por ishte klubi që vendosi për basketbollistin e gjatë 193 centimetra. Rexha mori këtë përgjegjësi nga Rron Grapci, i cili në afatin kalimtar të dimrit u largua pas një periudhe te Rahoveci për t’u kthyer te KB Peja.
“Me të vërtetë, është përgjegjësi e madhe të jesh kapiten i ekipit në moshën time, por me përkushtim të madh besoj se me sukses po e kryej edhe këtë punë. Puna dhe angazhimi im kanë bërë që kryesia e klubit të më besojë mua si kapiten, ndonëse nuk e kam pritur një gjë të tillë në moshën time”, ka pranuar Rexha. “Është përgjegjësi shtesë, por të gjithë lojtarët po më respektojnë me gjithë moshën e re. Do të mundohem që në mënyrën më të mirë të mundshme ta kryej këtë detyrë. Është ndjenjë e mirë të jesh kapiten, por natyrisht që ke edhe përgjegjësi të madhe dhe këtë e kam parasysh”.
Rexha këtë edicion është i fokusuar vetëm me ekipin e parë, pasi më përpara ka qenë i angazhuar edhe te gjenerata U-18, ku me KB Rahoveci ka fituar titullin e kampionit në ligën unike, që është nivel i dytë te të rinjtë. Me shumë sukses, Rexha ka inkuadruar këtë gjeneratë të Rahovecit në Superligën U-18. Pas kësaj arritjeje, Rexha synon që këtë edicion të jetë i suksesshëm edhe me ekipin e parë të Rahovecit.
Ai është optimist se klubi të paktën do ta rrëmbejë një trofe. Rahoveci këtë edicion pos kampionatit dhe Kupës së Kosovës, po merr pjesë për herë të parë edhe në Ligën Ballkanike (BIBL).
“Kam një titull kampioni me gjeneratat e reja, por këtë edicion jam i fokusuar vetëm tek ekipi i parë, me të cilin dua të kem suksese. Këtë edicion jemi në rrugë të mirë dhe shpresoj që të marrim ndonjë trofe, pasi ky edhe është synimi i ekipit tonë”, ka shtuar Rexha.
Në Superligë debutoi me 16 vjet
Pos shiritit të kapitenit te Rahoveci, Rexha këtë verë do të ketë një përgjegjësi te tillë edhe tek ekipi U-20 i Përfaqësueses së Kosovës gjatë ndeshjeve të kampionatit evropian.
Megjithatë, Rexha thotë se te Kosova do ta ketë më të lehtë përgjegjësinë e kapitenit, duke pasur parasysh se të gjithë janë moshatarë....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)