Ai arriti në Britani të Madhe si refugjat, pa para dhe me rrobat në makinën e tij, si pasuri të vetme. Muhammad Mokaev bëri udhëtimin nëpër Evropën kontinentale, nga vendlindja e tij në Dagestan, Rusi, në një makinë me babanë e tij, pas vdekjes së nënës së tij në vitin 2012. Tani ai është një nga luftëtarët perspektivë në artet marciale të përziera (MMA). Ai nuk di për humbje në kafaz dhe po konsiderohet si luftëtar që po shkon gjurmëve të bashkatdhetarit të tij, yllit të UFC-së, Khabib Nurmagomedov.
Pasi kishte ikur nga të jetuarit me vetëm 6 dollarë në ditë në Wigan, Anglia Veriore, ku Mokaev dhe babai i tij duhej të shqetësoheshin për sigurimin e ushqimit, 20-vjeçari tani është një luftëtar profesionist në MMA. Ai kishte bilanc prej 22-0 si amator dhe ka një bilanc 4-0 deri më tani në profesionizëm. Ndërkohë, baza e tifozëve po i zgjerohet me anëtarët e familjes mbretërore të Bahrejnit, si disa nga mbështetësit e tij kryesorë.
Ai zbuloi se tifozët do ta shohin duke garuar në UFC shumë shpejt, saktësisht vitin e ardhshëm. Kohët e fundit Mokaev është shumë i ngarkuar.
"Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër”, thotë Mokaev, pak pasi u kthye nga Stambolli, ku u fejua me gruan e tij të ardhshme. “Kështu që nuk mund të humbas kohë”.
Startoi nga zeroja
I lindur në Dagestan në vitin 2000, Mokaev u prezantua që herët me luftimet. Mundja është një sport jashtëzakonisht i popullarizuar në Rusi dhe Mokaev garoi në klubet lokale - shpesh në vend që të shkonte në shkollë.
“Në shkollë ose shkon për të mësuar ose shkon dhe ulesh jashtë dhe flet për jetën”, thotë ai. “Mirëpo unë preferova të luftoja, pasi nuk kisha asgjë për të bërë. Në atë kohë, në vend të shkollës, unë do të shkoja të stërvitesha dhe kthehesha në shtëpi. Ne mund të shkojmë në trajnim; mund të shkojmë në shkollë. Ndonjëherë ju mund të humbni mësimet në shkollë për të shkuar në trajnim. Në Dagestan kështu funksionojnë gjërat. Madje, as në shkollë nuk të qortojnë kur e kuptojnë se ishe në stërvitje”.
Kur ai ishte tetë vjeç dhe pasi nëna i kishte vdekur, Mokaev thotë se babai i tij, Muradi, “kishte probleme”, që do të thoshte se ata duhej të linin shtëpinë e tyre.
“Babai im më tha: ‘Bir, ne duhet të shkojmë’. Dhe ishte e vështirë, sepse kushëriri im dhe një pjesë e familjes time janë atje dhe shumë miq të mi me të cilët jam rritur”, thotë ai.
Me një makinë të mbushur me rroba dhe pa para, Mokaev dhe babai i tij bënë udhëtimin e gjatë nëpër Evropën kontinentale derisa arritën përfundimisht në destinacionin e tyre përfundimtar, në Britani të Madhe. Me të arritur në një vend ku ai nuk fliste asnjë fjalë, “jeta e Mokaevit filloi nga zeroja”.
“Ishte situatë e çmendur. Një vend tjetër, një gjuhë e re dhe traditë e re e njerëzve. Dhe, gjithashtu ishte edhe e frikshme”, pranon ai.
Vazhdimisht i uritur
Pasi qëndruan fillimisht në Liverpool, Mokaevit dhe babait të tij iu dha një shtëpi në Wigan për të jetuar.
Si refugjatë, atyre u sigurohej gjithashtu një sasi e vogël parash çdo ditë për të jetuar.
“Unë erdha këtu si refugjat dhe po fitoja gjashtë dollarë në ditë. Gjithashtu duhej të ndaja ushqimin me babanë tim. Pastaj, kishim nevojë për rroba dhe telefon. Pra, kjo shumë nuk ishte e mjaftueshme dhe unë vazhdimisht isha i uritur”, kujton Mokaev.
Jo vetëm që Mokaev nuk e dinte gjuhën, por ai nuk kishte përvojë të mëparshme të kulturës dhe traditave britanike. Në Dagestan, nëse dikush fliste keq për familjen e tij, Mokaev ishte mësuar ta mbronte emrin e familjes së tij duke u rrahur, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ai duhej të praktikonte përmbajtjen.
Pavarësisht se ishte i ri dhe me pak para, Mokaev ende kishte ëndrra për të udhëtuar nëpër botë - në veçanti ta vizitonte SHBA-në - dhe e kuptoi se akuza penale nga luftimet në rrugë do ta bënte atë ide edhe më të vështirë. Por pasi një mësues sporti në shkollën e tij e prezantoi në një qendër rinore, ku ofroheshin sportet luftarake, Mokaev gjeti një mënyrë për të kanalizuar energjinë e tij dhe gjeti një hyrje në MMA.
“Në atë qendër kishte gjithçka, futboll, mundje dhe boks. Kështu që unë shkova në boks dhe pastaj orën tjetër shkova në mundje. Në ditën e dytë një djalë më sfidoi të boksonim dhe të bënim mundje kur papritmas ai më tregoi se ishte pjesë e një klubi të mundjes. Kështu që e pyeta se ku është ai klub dhe ai më dërgoi në palestër. Këtu edhe nisi rrugëtimi im”, thotë ai.
Një rrugë tjetër
Mokaev u detyra të bënte punë të ndryshme në mënyrë që të financonte stërvitjet e tij në MMA, duke filluar nga puna e sigurimit e deri te pastrimi i vendeve të ndërtimit. Për më tepër, udhëtimi për të shkuar dhe për t’u kthyer nga stërvitjet, shpesh arrinte në gjashtë orë.
“Unë jam vërtet mirënjohës ndaj Zotit. Ai m’i dha këto sfida, sepse ndoshta nëse do të vija në këtë vend me shumë para, mbase do të isha në rrugë dhe do të isha djalë i keq”, thotë Mokaev.
Duke ditur se prej nga ka ardhur dhe çfarë ka fituar, Mokaev ka dëshirë të ofrojë ndihmë për refugjatët e tjerë. Ai ende i viziton refugjatët në veri të Anglisë për të parë “sytë e tyre të uritur” dhe për t'i motivuar ata duke shpjeguar se me punën e palodhur, “jeta e tyre në pesë vjet mund të ndryshojë”. Ai insiston se ende e sheh veten si refugjat dhe për këtë arsye i viziton të tjerët dhe i motivon për të vazhduar me jetën. Mokaev kërkon prej tyre që të mos dorëzohen, por gjithashtu i këshillon që të mos futen rrugëve të këqija.
“Ata kanë ardhur këtu për një vend më të mirë dhe unë po mundohem që nëpërmjet rrëfimit tim që t’i motivoj për të vazhduar me jetën. Unë jam refugjat sikurse ata dhe kam pasur fillim të vështirë, por nuk jam dorëzuar. Të njëjtën gjë ua kërkoj edhe atyre”, shton Mokaev.
Thirrja për ndihmë
Ndërsa MMA ishte “vetëm një hobi” për Mokaevin në Rusi, ky sport shpejt u bë më shumë se kaq. Ai e kuptoi që rrugët tradicionale arsimore mund të mos ishin shansi i tij më i mirë për sukses në jetë, kështu që iu përkushtua sportit.
“Në Angli e kuptova që anglishtja ime nuk ishte më e mira për të shkuar në universitet. Prandaj kuptova që duhej të kisha një plan tjetër afatgjatë për sukses në jetë. Babai më këshillonte që duhej të shkoja në universitet për shkak se është inxhinier i ndërtimit. Megjithatë, unë nuk doja ta poshtëroja, doja të gjeja një mënyrë për ta bërë krenar”, shprehet Mokaev.
Duke vendosur të gjithë përqendrimin dhe energjinë e tij në luftime - ndërsa mbajti edhe punë të tjera për ta ndihmuar babanë - Mokaev vetëm forcohej nga dita në ditë. Karriera e tij amatore me të vërtetë u shqua me fitore, kurse suksesi rezultoi me titullin në Kampionatin Botëror IMMAF në vitet 2018 dhe 2019. Sidoqoftë, si një refugjat që kërkon të udhëtojë jashtë për të garuar, atij i është dashur të kërkojë ndihmë nga disa njerëz me ndikim. Pas luftës së parë amatore të Mokaevit në vitin 2015, ai u pa nga sheiku Khalid bin Hamad al Khalifa, djali i pestë i mbretit të Bahrejnit, i cili pastaj filloi ta ndiqte luftëtarin në Instagram. Sheikh Khalid organizoi ekipin e tij në MMA - i cili fillimisht përfshinte Nurmagomedovin - në vitin 2015 dhe më pas organizatën e tij MMA - Federata e Luftëtareve të Trimave - në vitin 2016.
Dyshja shkëmbyen mesazhe në Instagram dhe përpara Kampionatit Botëror në Bahrejn në vitin 2019, Mokaev kërkoi ndihmë nga sheiku. Kur ai po përpiqej të shkonte nëpërmjet aeroportit të Manchesterit, u ndalua dhe humbi fluturimin e tij.
“Ata nuk më lanë të shkoj në Bahrejn, kështu që unë e thirra sheikun. Ai më tha se ishte në Londër dhe më ftoi ta takoja”, kujton Mokaev. “Pas takimit në Londër, unë shkova me aeroplanin e tij privat në Bahrejn. Ai filloi të më sponsorizonte, më dha shpërblim pasi fitova medaljen e artë të Kampionatit Botëror, duke përfaqësuar ekipin e tij”.
Krahasimet e dukshme
Që kur u bë profesionist me organizatën e sheikut, Mokaev ka kaluar nga një rishtar i panjohur në një nga luftëtarët më perspektivë të MMA-së. Së fundi, ai ka mposhtur kolegun britanik Dave Jones për të vazhduar rekordin e tij. Deri më tash, Mokaev ka katër fitore në po aq luftëra si profesionist në MMA.
Për shkak të aftësive të tij të kapjes së kundërshtarit, rekordit të tij prej luftëtarit të pamposhtur dhe veshjes së tij të zakonshme me kapelën tradicionale të Dagestanit, krahasimet midis Mokaevit dhe Nurmagomedovit kanë filluar të bëhen tashmë të zakonshme. Megjithëse Mokaev pranon që shoku i tij nga Dagestani, Nurmagomedov, është “kampioni i popullit”, ai beson se ka dallime të mëdha midis të dyve.
“Unë dhe Khabib jemi njerëz të ndryshëm, mendoj. Kur kam luftuar në amatorizëm, njerëzit më njihnin, ata e pëlqenin karizmin tim që dallon prej atij të Khabibit. Ai është kampion i pakrahasueshëm dhe unë shpresoj që një ditë të arrij rekordet e tij. Mbase, pas 26 fitoreve do të arrij në nivelin e tij dhe të gjithë do ta shohin dallimin mes meje dhe tij”, thotë Mokaev.
Dalja në pension e shokut të tij, Nurmagomedov, në fillim të këtij viti, tronditi pjesën më të madhe të komunitetit MMA, me shumë ata që sugjerojnë se ai është luftëtari më i madh ndonjëherë në UFC me rekordin e tij 28-0. Pavarësisht se është në fazat e hershme të karrierës në MMA, Mokaev beson se ai mund t’i tejkalojë arritjet e kampionit të pamposhtur, Nurmagomedov.
“Besoj se do të jem më i madhi i të gjitha kohërave”, thotë me siguri Mokaev, para se të sigurojë tifozët se do të jenë në gjendje ta shikojnë atë në UFC prej vitit të ardhshëm. \ CNN