Sport

Red Star dhe PSG, markat e kundërta globale të futbollit parisien

Nëse Paris Saint-Germaini është një markë e Hollywoodit, thotë David Bellion, atëherë Red Star është një film duke e marrë parasysh se është klubi më i vjetër dhe më i popullarizuar i futbollit në kryeqytetin francez. Krijimi i lidhjeve mes futbollit dhe artit vjen natyrshëm për Bellionin, ish-sulmuesin e Manchester Unitedit dhe Sunderlandit, i cili tani është drejtor kreativ në Red Star, një ekip kult i kategorisë së tretë franceze që sikurse PSG-ja ka markën që e njohin tifozët në mbarë botën, por për arsye të ndryshme.

I themeluar në vitin 1897, Red Star qëndron në zemër të Saint-Ouen, një periferi e larmishme e klasës punëtore të Parisit Verior. Ky klub është formuar nga Jules Rimet, presidenti më jetëgjatë i FIFA-s, emri i të cilit shkëlqen në trofeun origjinal të Kupës së Botës. Mungon në elitën e parë të futbollit francez që nga sezoni 1974-75, ishte në nivelin e gjashtë deri në vitin 2005 dhe stadiumi i vjetër “Stade Bauer”, i hapur në vitin 1909, kërkon renovim për të përmbushur standardet e Ligue 2.

Ndërkohë, vetëm dhjetë kilometra larg në jugperëndim të qytetit shtrihet stadiumi “Parc des Princes” dhe ekipi magjepsës që luan në të, PSG-ja. Pronarë ambiciozë kanë ardhur dhe kanë shkuar që nga formimi i PSG-së në vitin 1970, por vetëm pas ardhjes së Autoritetit të Investimeve të Katarit një dekadë më parë, klubi filloi të dominonte futbollin francez, duke fituar shtatë nga nëntë titujt e fundit.

Kjo mbështetje do të thotë që PSG-ja operon në një botë shumë të ndryshme financiare dhe i shërben një audience të kundërt me Red Starin, si dhe ekipin e tretë profesional të qytetit Paris FC, që përfundoi i treti në Ligue 2 sezonin e kaluar dhe po fillon një kapitull të ri të pas investimeve të fundit nga Mbretëria e Bahreinit.

Deri më tani, të tri klubet e kryeqytetit francez dallojnë shumë njëri prej tjetrit. Por PSG-ja dhe Redt Stari kërkojnë të njëjtën tërheqje të modës, kanë energji shumë të lezetshme parisiene, dhe markat e tyre unike kanë çuar në interes global; PSG-ja për shkëlqimin dhe “galaktikët”, Red Stari për kulturën e nëndheshme, diversitetin dhe ndërgjegjen sociale.

“Ajo që më intereson në futboll është drejtimi kreativ, si të ndërtoj një imazh dhe gjithashtu të tregoj historinë e klubit në të gjithë botën”, tha Bellion. “Red Stari ka një histori kaq të bukur dhe të fortë, saqë meriton të dëgjohet nga njerëzit”.

Fanella e Red Starit për këtë edicion përmban një logo të personalizuar që ka mesazhin “Mirë se vini Refugjatë” dhe sponsorizohet nga “LinkedOut”, një projekt që ndihmon të rriturit e pastrehë dhe të pafavorizuar të gjejnë punë.

“Kemi zhvilluar disa ide që janë shumë të mira, sepse nuk kemi frikë se si interpretohen, ajo që duam është vetëm të jemi të sinqertë”, shton 38-vjeçari. “Ne nuk po blejmë kulturë, sepse nuk mund ta përballojmë, por na pëlqen të krijojmë kulturë. Prandaj i bëjmë gjërat ndryshe”.

Bellion në vitin 2016 e përfundoi karrierën e tij aktive në Stade Bauer, dhe te Red Stari e gjeti një njeri që e quan të zemrës. Ai është producenti dhe presidenti i klubit, Patrice Haddad. Haddad u emërua president në vitin 2008, me klubin që ishte në nivelin e katërt dhe gjatë kësaj kohe, ai e ka parë Red Starin dy herë duke luajtur në Ligue 2. Ata ranë në kategorinë e tretë në vitin 2019 dhe duhet të kthehen këtë sezon në Ligue 2 ose të përballen me humbjen e statusit profesional sipas rregulloreve franceze. Vitet e fundit, baza globale e tifozëve të Red Starit është rritur në mënyrë organike falë filozofisë unike, produkteve të modës, dhe një identiteti të vërtetë që është i rrënjosur thellë brenda klubit, që po krahasohet me St. Paulin në Gjermani.

“Një ditë isha në Tokio, luajtëm futboll atje dhe pashë një djalë që kishte një fanellë portokalli të Red Starit. Ne i kishim prodhuar vetëm 20 fanella për t’i shitur në një dyqan në Paris. E kjo na bën krenar, sepse jemi të dashur në të gjithë botën”, shtoi Bellion.

Bellion i pëlqen të bashkëpunojë me artistë, muzikantë e fotografë dhe ka një dashuri për kulturën britanike, por edicioni i lojtarëve të rinj dhe formimi i tyre është pasioni i tij i vërtetë.

“Ne kemi rreth 500 fëmijë, kështu që është e rëndësishme të ndërtojmë një kulturë dhe edukim në jetën e tyre. Ne duam të përdorim klubin e futbollit për të dërguar një mesazh; ne duam që ata të jenë qytetarë të ndërtuar mirë”, insistoi ai.

Për ta bërë këtë, klubi nisi projektin “Red Star Lab”, duke organizuar seminare për të ndihmuar lojtarët e akademisë të mësojnë dhe të frymëzohen nga profesionet jashtë futbollit. Një nga të preferuarat e Bellion ishte të shihte adoleshentët të bënin vetë këpucët e tyre të futbollit me mjeshtrin vendas Rakhmi.

“Ne po u japim atyre pasione të tjera për t’i provuar - fotografinë, modën, muzikën. Është falas për të gjithë dhe ata po mësojnë”, zbuloi Bellion.

Edhe nëse PSG-ja u mposht në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2020, investimi i presidentit Nasser Al-Khelaifi e ka vendosur ekipin në mesin e elitës evropiane. Titulli kontinental ndoshta po duket i pakapshëm për PSG-në, por ekipi tashmë ka pasur sukses të madh tregtar jashtë fushës. Në vitin 2019, klubi arriti në një milion shitje të fanellave dhe më shumë se gjysma e tyre shkuan për klientët jashtë Francës.

Që atëherë, PSG-ja kanë hapur dyqane në Los Angeles dhe Tokio. Al-Khelaifi beson se klubi mund të rritet akoma dhe dëshiron që PSG-ja të jetë një nga tri markat më të mira sportive në botë. Ai dëshiron që ekipi të jetë sinonim i Parisit. Ambicia është e padiskutueshme pasi PSG-ja ka superyjet si Neymar, Lionel Messi e Kylian Mbappe. Bellion nuk ka asnjë problem me PSG-në dhe thotë se klubet respektojnë pozicionin e njëri-tjetrit në qytet dhe peizazhin e futbollit francez.

“Djalit tim i pëlqen të shikojë Mbappen, Neymarin e Messin dhe është normale. Ne nuk mund ta krahasojmë veten me PSG-në. Ne edhe nëse do t’i kishim paratë e tyre nuk do të vepronim si ata, pasi kemi një mënyrë tjetër të të menduarit dhe komunikimit. Ne po tërheqim turmën që duam dhe të gjithë janë të mirëpritur, përveç atyre që bëjnë urrejtje”, tha Bellin. “Për mua themeli është rinia dhe kam besim se po bëjmë një punë të mirë. Ka gjëra më të rëndësishme sesa thjesht të godasësh topin”.

Pas 12 ndeshjeve të luajtura këtë edicion në kategorinë e tretë të futbollit francez, Red Stari ka tubuar 13 pikë dhe zë vendin e 13-të në klasifikim.