Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reali synon shkëputjen në tabelë

Ndeshje derbi të njëjtit qytet dhe ballafaqimi interesant ndërmjet Barcelonës dhe Athletic Bilbaos do të zhvillohen në kuadër të xhiros së 26-të në La Liga këtë vikend.

Real Madridi synon që ta vazhdojë formën e mirë dhe shkëputjen në tabelë.

Madrilenët e drejtuar nga Carlo Ancelotti do të luajnë në udhëtim te Rayo Vallecano të shtunën në orën 18:30.

Skuadrës së Real Madridit do t’i mungojë David Alaba, që ka problem me muskuj, ndërsa i gatshëm për lojë nuk do të jetë as Gareth Bale, pavarësisht se ai ushtroi me skuadrën të premten.

Do të jetë derbi i Madridit, ndërsa “los blancos” synojnë të marrin dy fitore rresht në ligë për herën e parë që prej xhiros së 17-të.

Në ndeshjen e fundit, Reali mposhti Alavesin me rezultatin 3:0.

Reali ka 57 pikë, gjashtë më shumë se Sevilla e vendit të dytë që po ashtu synon të fitojë titullin sivjet.

Nga ana tjetër, rivali i qytetit, Vallecano, është në vendin e 11-të me 31 pikë nga 24 ndeshje.

Vallecano nuk di për fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, duke i humbur katër të fundit rresht.

Ndeshja tjetër derbi është ajo ndërmjet vendit të dytë Sevillas dhe të tretit, Real Betisit, që ndryshe njihet si “El Gran Derbi”.

Këto dy skuadra do të luajnë përballë njëra-tjetrës të dielën në orën 16:15.

Tribunat do të jenë të mbushura me tifozë të flaktë të dy skuadrave, teksa është ballafaqimi i tretë i derbit të qytetit të Sevillas.

Secila skuadër ka marrë nga një fitore sivjet.

Athletic Bilbao do të mundohet që ta mbajë serinë pozitive të rezultateve kur do ta vizitojnë stadiumin “Camp Nou”. Në stadiumin ikonë, Bilbao do të ballafaqohet me skuadrën tjetër që ka marrë rezultate pozitive nën drejtimin e Xavi Herandezit, Barcelonën. Të enjten, Barcelona shkëlqeu duke fituar përballë Napolit në stadiumin “Diego Armando Maradona”, me rezultatin 4:2.

Bilbao veçse e ka eliminuar Barcelonën në Kupën e Mbretit këtë edicion dhe tani do të mundohet të marrë pikët e plota në La Liga. Megjithatë, do të jetë e vështirë, marrë parasysh faktin se Barcelona nuk ka humbur në Kataluni nga Bilbao që prej vitit 2001.

Barcelona – Athletic Bilbao zhvillohet të dielën në orën 21:00.

Artikuj të ngjashëm