Real Madridi kundër Sevillas, të dielën mund të jetë duel vendimtar në garën për titull.
Takimi luhet në Andaluzi, me Sevillan që do të jetë nikoqire e Realit në ndeshjen e xhiros së 32-të në La Liga që nis në orën 21:00.
Një disfatë e Sevillas, jo vetëm që do ta rriste diferencën e pikëve me Realin lider, por mbetet në dyshim nëse do të përfundojë në top-katërshe në fund të sezonit.
Fitorja e Realit në “Ramon Sanchez Pizjuan” do ta shtonte diferencën në 15 pikë ndaj Sevillas, skuadër që në fund të muajit janar ishte vetëm pesë pikë prapa liderit, me një ndeshje më pak të luajtur.
Sevilla ka seri prej vetëm tri fitoreve në 11 ndeshjet e fundit në ligë, ndryshe nga Reali që ka shkëlqyer si në ligë, ashtu edhe në Champions.
Por, i duhet fitorja patjetër kundër Sevillas pasi do t’i ketë dy udhëtime të vështira. I shkon Villarrealit dhe Atletico Madridit, para ndeshjes së fundit në shtëpi ndaj Athletic Bilbaos.
Ferland Mendy dhe Marcelo po vuajnë nga lëndimet, ndërsa trajneri Carlo Ancelotti mund ta pushojë Luka Modriqin dhe Karim Benzeman, që luajtën 120 minuta të martën kur e eliminuan Chelsean.
Atletico Madridi dhe Barcelona u eliminuan në garat e tyre evropiane.
Atletico humbi nga Manchester City, ndërsa Barcça u befasua nga Eintracht Frankfurti.
Në ligë, kampioni në fuqi i La Ligas, Atletico, të dielën në orën 16:15 luan në shtëpi kundër Espanyolit, derisa xhiron e mbyll Barcelona të hënën, me duelin kundër Cadizit në orën 21:00.