Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Real Madridi po funksionon si duhet me Ancelottin

Carlo Ancelotti e quajti “periudhë e muajit të mjaltit” në Real Madrid. Dhe si klubi ashtu edhe trajneri duan ta shijojnë atë derisa të zgjasë.

Real Madridi do të përballet me Sherif Tiraspolin të martën në Ligën e Kampionëve, pas fitores 1:0 ndaj Interit. Pritet fitore, e cila do ta vërë ekipin e Ancelottit në krye të Grupit D.

Reali ka filluar shpejt edhe në Spanjë. Pesë fitore dhe dy barazime e kanë çuar në krye të La Ligas, tri pikë larg Atletico Madridit dhe pesë para Barcelonës.

Ancelotti kur u pyet se kur do të përfundojë periudha e muajit të mjaltit, shtoi: “Kur do të përfundojë do t'ju them, por deri tani jam mirë”.

Nuk janë vetëm rezultatet që kanë përmirësuar atmosferën, pas një vere që filloi me fitimin e titullit nga Atletico dhe përfundoi me Real Madridin, që fitoi rreth 50 milionë euro nga afati kalimtar dhe nuk arriti ta transferojë Kylian Mbappen. Janë paraqitjet që kanë emocionuar fansat dhe i kanë dhënë freski një skuadre që dukej se ishte zbehur nën drejtimin e Zinedine Zidane, sezonin e kaluar. Suksesi i Zidanet ishte historik, por stili i tij, sa herë që ishte e mundur të identifikohej, ishte i kujdesshëm, duke i dhënë përparësi mbrojtjes. Ancelotti ka hequr “frenin e dorës” dhe kjo ka bërë që lojtarët e rinj të lulëzojnë dhe të shënohen shumë gola. Real Madridi ka shënuar 21 herë në shtatë ndeshje të La Ligas këtë sezon. Golat janë shpërndarë në tetë lojtarë të ndryshëm, Karim Benzema, Vincius Junior, Marco Asensio, Eduardo Camavinga, Gareth Bale, Dani Carvajal, Rodrygo dhe Nacho Fernandez.

Edhe Ancelotti i afrohet ndeshjes së 300-të në La Liga, planifikon edhe shumë të tjera Futboll Ancelotti i afrohet ndeshjes së 300-të në La Liga, planifikon edhe shumë të tjera

Benzema ka tetë gola dhe shtatë asistime. Francezi rrit pretendimin e tij për të qenë trashëgimtari i Lionel Messit si lojtari më i mirë në La Liga dhe ndoshta edhe sulmuesi më i mirë tani në botë. Ndërsa paraqitjet e Benzemas nuk janë asgjë e re, Vinicius dhe Asensio kanë shpërthyer nën Ancelottin. Asensio shënoi “hat-trick” kundër Mallorcas, ndërkohë që Vinicius po shndërrohet ndër lojtarët kryesorë të ekipit. Camavinga, 18-vjeçar, tashmë është i preferuari i fansave.

“Camavinga nuk ka presion, por presion nuk kanë as lojtarët e tjerë. Ne do të mundohemi të vazhdojmë me këtë ritëm sa më gjatë që të mundemi”, është shprehur Ancelotti. “Tani për tani po e shijojmë këtë periudhë”.

Kur arritja e Ancelottit te Reali u konfirmua, disa u zhgënjyen që Madridi nuk kishte qenë më i guximshëm, duke akuzuar klubin se kishte zgjedhur një opsion të sigurt në vend të një trajneri më ideologjik sikurse Thomas Tuchel, Julian Nagelsmann ose Pep Guardiola.

“Për të qenë i sinqertë, ne jemi përqendruar shumë në mbrojtje, sepse ishte reparti që kishte nevojë për më shumë përmirësim. Duhet që të jemi solidë edhe në mbrojtje, jo vetëm në sulm”, tha Ancelotti.

Edhe Me Mbappen në përbërje, Madridi do të jetë edhe më i fortë në rrugëtimin drejt trofeut të 16-të Futboll Me Mbappen në përbërje, Madridi do të jetë edhe më i fortë në rrugëtimin drejt trofeut të 16-të

Derisa sfidat më të mëdha janë përpara, vlerësimet për emërimin e tij kanë qenë të shumta, me Real Madridin që gëzon lirinë e që vjen me shfaqjen e lojtarëve të rinj.

“Marrëdhënia ime me klubin është shumë e mirë për momentin, është një periudhë muaji mjalti për mua”, insistoi Ancelotti. “Ne do të kemi momente më pak të shkëlqyera, por respekti im për këtë klub do të jetë gjithmonë atje, për atë që përfaqëson ky klub, presidentin, tifozët. Momente më të komplikuara do të vijnë, por ne do të kalojmë mirë”.