Sport

Ramiz Sadiku befason Vëllaznimin

Skuadra e Vëllaznimit e ka pësuar disfatën e parë në stinorin pranveror në Ligën e Parë të Kosovës.

Gjakovarët janë befasuar me humbjen e pësuar të shtunën nga skuadra e Ramiz Sadikut me rezultatin 1:0 dhe kanë bërë një hap prapa drejt ngjitjes në elitën e futbollit kosovar.

E skuadra nga Prishtina, që synim ka mbijetesën, golin e fitores e arriti qysh në rastin e parë të krijuar në minutën e dytë.

Një gabim i mbrojtësit Agron Beqiri, u shfrytëzua mirë nga sulmuesi Fillim Guraziu, që paraboloi portierin Altik Muhaxhiri, transmeton KTV.

Në minutën e nëntë, Vëllaznimi tentoi ta barazonte rezultatin, por gjuajtja e Arlind Bashës u ndal nga shtylla.

Edhe Ramiz Sadiku kishte rast për ta ngritur epërsinë në 2:0, por në minutën e 21-të Ardi Shala dështoi përballë portierit Muhaxhiri.

Gjakovarët në minutën e 28-të pretenduan për një penallti, por i të njëjtit mendim nuk ishte gjyqtari kryesor Leutrim Mustafa, i cili lejoi zhvillimin e lojës.

Dhe, në anën tjetër Ramiz Sadiku nisi një kundërsulm nëpërmjet Ardi Shalës, por u pengua nga Jeton Dushi, i cili edhe u përjashtua nga loja dhe la skuadrën e tij me dhjetë lojtarë në fushë.

Edhe pse me dhjetë lojtarë, Vëllaznimi synoi ta barazonte rezultatin, por gjuajtjet e Lek Vulës në minutën e 58-të dhe Astrit Berishës në minutën e 86-të, nuk ishin të sakta.

Ekipi nga Gjakova nuk shfrytëzoi edhe këtë tollovi të krijuar në minutën e 92-të, që ishte edhe rasti i fundit i ndeshjes.

Vëllaznimi mbetet në vendin e pestë me 36-të pikë, kurse Ramiz Sadiku në vendin e 14-të me 18 pikë.