Sulmuesi i krahut, Valdet Rama, nuk e mendon kthimin te Kombëtarja e Shqipërisë, por është i fokusuar ta ndihmojë ekipin e Kukësit këtë edicion në Kategorinë Superiore për të arritur synimet.
Në një intervistë për mediumet nga Tirana, Rama të hënën ka thënë se gradualisht po kthehet në formën e tij, pasi deri më tash ka vetëm tri paraqitje dhe të tri është inkuadruar nga banka e rezervistëve.
Ai në ndeshjen e fundit, në fitoren 3:1 ndaj Kamzës shënoi gol menjëherë pasi u fut në fushë. Rama muajin e shkuar iu bashkua Kukësit pas një periudhe të gjatë pa ekip. Ai ka shtuar gjithashtu se kampionati shqiptar ka cilësi.
“Po punoj ekstra për t'u kthyer në nivelet e mia të mëparshme dhe te Kukësi me duhen edhe pak ndeshje për të kthyer formën. Mund të them se kampionati shqiptar ka shumë lojtarë fizikë e shumë të shpejtë dhe nuk mungon cilësia”, ka thënë Rama. “Për mua ka qenë gjithmonë kënaqësi të luaj për Shqipërinë, por tani nuk po mendoj për atë pjesë. Jam i fokusuar te Kukësi”.
31-vjeçari ka 15 ndeshje dhe tre gola me Shqipërinë, kurse me Kukësin ka kontratë deri në muajin qershor.