Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitiq ka thënë se dëshiron të kthehet në fushë dhe të vazhdojë kampionati në Spanjë, edhe nëse kjo nënkupton se rrezikon të infektohet me koronavirus.
Ligat në Francë dhe Holandë janë anuluar, ndërsa ministri i shëndetësisë i Spanjës, Salvador Illa, ka vënë dyshime nëse mund të luhet futboll në Spanjë në një të ardhme të afërt.
“Unë dua të luaj. Është evidente se duhet të provojmë të kthehemi me garancinë më të mirë higjienike, por duhet edhe të dimë se kjo kurrë nuk do të jetë qind për qind e sigurt. Por, i njëjti rrezik është edhe për gjithë punëtorët tjerë që kthehen në punë. Punëtorët në supermarkete po ashtu ndërrohen në zhveshtore dhe kanë të njëjtat përgjegjësi apo edhe më tepër se ne. Ata marrin këtë rrezik dhe unë jam i gatshëm të pranoj rrezikun po ashtu. Mendoj se ia kemi borxh dhe jam i sigurt se nëse pyesim tifozët ata do të donin të shihnin futboll”, ka thënë Rakitiq për “Marca”.
Kroati ka shtuar se është i gatshëm të rrezikojë shëndetin e vet që të vazhdojë futbolli.
“Pa dyshim, unë e them këtë nga vetëdija se rreziku do të jetë shumë i vogël, por edhe nga solidariteti me ata që kanë luajtur me ne nga minuta e parë dhe se do të vazhdojnë kështu për shumë ditë”, ka shtuar kroati.
Ai shpreson se me kthimin e futbollit, njerëzit do të kenë një argëtim.
“Së fundi kam dëgjuar njerëzit duke folur për problemet që do të shkaktohen nëse nuk luajmë, problemet ekonomike, të garave evropiane, në kalendar, ngritje në elitë dhe rënie nga elita, por nuk kam dëgjuar dikë të flet për njerëzit, për ata njerëz tek të cilët skuadra e tyre është pjesë e jetës dhe e cila i është marrë papritmas. Në aspektin social duhet të bëjnë një hap, të jemi në gjendje të argëtojmë njerëzit me atë që duan, kështu që të gjithë të ndalojmë të mendojmë vetëm për viruset e sëmundjet, që t’i kthehen talljet me fqinjët nga skuadrat kundërshtare”, ka shtuar Rakitiq.
Stinori në La Liga të Spanjës është pezulluar pas 27 xhirove të zhvilluara. Barcelona kryeson me 58 pikë, dy më tepër se Real Madridi që zë vendin e dytë.