Rahoveci ka fituar bindshëm të dielën ndaj Ponte Prizrenit për të zënë vend në gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e tretë dhe vendimtare të çerekfinales, Rahoveci fitoi ndaj skuadrës prizrenase me shifrat 84:65. Ndeshja u zhvillua në palestrën e stërmbushur në Rahovec, ndërsa skuadra vendase që drejtohet nga Bujar Loci kishte përkrahje të madhe të shikuesve.
Kështu Rahoveci u është bashkuar Z Mobile Prishtinës, Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit, që më herët siguruan gjysmëfinalen. Prishtina e Ylli kaluan direkt në gjysmëfinale pasi u renditën në dy pozitat e para në pjesën e rregullt të kampionatit, ndërsa Bashkimi në çerekfinale pas dy ndeshjeve eliminoi Trepçën, shkruan sot Koha Ditore.
Rahoveci pati punë më të vështirë. E humbi ndeshjen e parë ndaj Ponte Prizrenit, që u zhvillua gjatë dy ditëve. Sikur humbja të mos mjaftonte, tifozët e më pas edhe klubi shprehën dyshime jo shumë të bazuara në përkushtimin e dy lojtarëve amerikanë, që kanë bartur barrë gjatë tërë edicionit.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)