Sport

Rafet Prekazi, drejtor sportiv i Gjilanit

Ish-përzgjedhësi i Kosovës U21, Rafet Prekazi, është emëruar drejtor sportiv i skuadrës së Gjilanit.

Lajmi është bërë i ditur nga klubi gjilanas përmes faqes zyrtare në “Facebook”.

Ish-trajneri i disa skuadrave kosovare e ka zënë vendin e Sallah Sherifit, i cili ka kaluar në pozitën e drejtorit teknik.

Menaxher i Përgjithshëm është emëruar Drilon Sylejmani, ish-gazetar i sportit. Gjilani ka njoftuar se përgatitjet për edicionin e ri do t’i fillojë më 25 qershor në fushën me bari sintetik.

Në njoftimin e klubit nga Anamorava, bëhet e ditur se nga skuadra e parë janë larguar Shkëlzen Ruçi, Ardin Dallku, Drin Govori, Ivan Fustar, Qëndrim Dautaj, Ardit Hila, Arbër Çyrbja, Tomislav Busiç dhe Darko Nikaç, kurse janë transferuar Yll Hoxha, Albert Dabiqaj, Elton Cale dhe Agustin Torassa. Nga huazimi janë kthyer Petrit Terziu, Albin Halimi, Qëndrim Ismajli dhe Muhamed Dubova.

Në ditët në vijim do të ketë edhe ardhje të reja te Gjilani, dhe kjo do të ndodhë sipas kërkesave të stafit teknik.

Në edicionin 2021/2022, Gjilanin do ta drejtojë trajneri Ismet Munishi.