Mundësi Egzon Shala është sportisti i vetëm që deri më tani e ka të konfirmuar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” me normë. Brenda normës janë edhe pesë xhudistët elitarë: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova. Por, janë edhe karateistët dhe boksierja Donjeta Sadiku që në muajin qershor i kanë turnetë kualifikues për Lojërat Olimpike të këtij viti. Edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) kanë besim se në Olimpiadën e Tokios do të shkojnë me më shumë se gjashtë norma
Donjeta Sadiku është garuesja e vetme e boksit që ka ende gjasa për të siguruar normë olimpike për Lojërat Olimpike që mbahen verën e këtij viti në Tokio. Turneu kualifikues, që u pezullua shkaku i masave izoluese në shumë shtete të Evropës në marsin e vitit të kaluar në Londër, do të vazhdojë në Paris të Francës prej 4 deri më 8 qershor. Sadiku do të jetë e para prej garuesve që do të paraqitet në një ngjarje kualifikuese gjatë muajit qershor. Por, nuk do të jetë edhe e vetmja. Muaji qershor vlerësohet i artë për sportistët e Kosovës. Përveç Sadikut, në qershor do të kenë ngjarje kualifikuese edhe karateistët, shigjetarët dhe shenjëtarët. Gara do të kenë edhe xhudistët për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që mbahen prej 23 korrikut deri më 8 gusht në Japoni.
Boksierja Sadiku aktualisht është në Finlandë, ku me ftesë të Federatës së Boksit të Finlandës po stërvitet me fituesen e medaljes olimpike në LO “Rio 2016” në kategorinë deri në 60 kilogramë. Sadiku insiston se përgatitja në Finlandë ka qenë e paplanifikuar, por thotë se do t’i shërbejë shumë për përgatitje për turneun kualifikues për Lojërat Olimpike që mbahen në Tokio gjatë verës së këtij viti.
“Sparingu me boksieren nga Finlanda, Mira Potkonen, do të më ndihmojë shumë për përgatitje para turneut kualifikues në Paris për Lojërat Olimpike që mbahen këtë verë. Në turneun kualifikues, që nisi në Londër, kam qenë në formë shumë të mirë, mirëpo shtyrja për një vit është ende më mirë për arsye se kam marrë pjesë edhe në turne të ndryshëm, ku kam fituar edhe më shumë përvojë. Unë besoj se do ta fitoj normën për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike. Është viti im”, ka thënë Sadiku të mërkurën për KOHËN.
Në fakt, turneu kualifikues në Paris është edhe gara e vetme ku Sadiku shpreson në sukses për të fituar normë olimpike. Për shkak të situatës së rënduar me koronavirus, Task-Forca e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), ka bërë të ditur pak kohë më parë se ka anuluar përfundimisht turneun kualifikues botëror të paraparë të mbahej në muajin qershor në Paris, që njëherësh ishte edhe mundësia e dytë për Sadikun për të siguruar normë olimpike. Tani asaj i mbetet të ketë suksese në turneun e nisur vitin e kaluar, ku e fitoi meçin e parë kundër gjermanes Maya Kleinhans, ndërsa luftën e dytë e ka përballë suedezes Agnesa Lexiussion.
E normën olimpike te sporti i karatesë po e ndjekin Herolind Nishevci, Elhami Shabani, Fortesa Orana e Adelina Rama. Karate ende nuk ka ndonjë normë të fituar dhe shpresat më të mëdha mbesin te turneu kualifikues, që mbahet prej 11-13 qershor në Paris. Në këtë garë, cilido nga garuesit që fiton medalje, do ta sigurojnë biletën për në Tokio.
Elhami Shabani ka thënë se ka bindjen se do ta sigurojë normën olimpike në Paris, ndërsa të njëjtën gjë e thotë edhe Herolind Nishevci.
“Stërvitjet po shkojnë shumë mirë. I kam dy gara të rëndësishme, Kampionatin Evropian më 23 maj e po ashtu edhe turneun kualifikues për Lojërat Olimpike në muajin qershor. Përgatitjet edhe atmosfera janë shumë të mira, si dhe pritjet gjithashtu”, është shprehur Nishevci. “Po mundohem të përgatitem maksimalisht dhe shumë po shpresoj në rezultatet e mira. Në fund të këtij muaji, e kemi Premier Ligën që do të jetë një test shumë i mirë përpara dy garave të rëndësishme”.
Edhe shigjetaria përmes garuesve të saj, Atdhe Luzhnica, Hazir Asllani, Ardita Zejnullahu, Edi Dvorani e Drenis Mala, presin në qershor të arrijnë suksese në Kupën e Botës, që mbahet në Paris të Francës prej 22-27 qershor.
Në qershor edhe shenjëtarët do t’i kenë dy gara të rëndësishme. Prej 23 maj deri më 6 qershor do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian në disiplinat 25m, 50m dhe 300m në Osijek të Kroacisë, ndërsa prej 8 deri më 17 qershor do të marrin pjesë në Kupën e Botës në Chateauroux të Francës.
Të ngjeshur, do ta kenë edhe xhudistët agjendën deri para Lojërave Olimpike. Në qershor prej 6 deri më 13 në Budapest të Hungarisë, xhudistët do të synojnë medalje në botëror. Brenda normës olimpike në sportin e xhudos janë Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova, kurse normën e gjashtë po e kërkon edhe Laura Fazliu.
Krahas pesë normave të xhudos dhe një të mundjes, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, normë olimpike pret edhe nga notari Arti Krasniqi, mundësi Edon Shala dhe xhudistja Laura Fazliu, për të cilët, siç thotë, po ashtu se garat e ardhshme ndërkombëtare do të jenë vendimtare.
“KOK-u është duke mbështetur sportistët elitarë me heqjen e shpenzimeve të përgatitjeve nëpër kampe të ndryshme, si dhe me heqjen e shpenzimeve të njërës garë ndërkombëtare të vlefshme për normë olimpike. Falë kësaj mbështetjeje, momentalisht në kampin ndërkombëtar në Dubai po qëndron karateistja Fortesa Orana, e cila është njëra nga tre karateistët që synojnë të fitojnë normën olimpike në turneun kualifikues të Parisit, bashkë me Elhami Shabanin dhe Herolind Nishevcin, të cilët me potencialin që kanë mund ta zënë njërin nga tri vendet e para që dërgon në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Po ashtu, gjasa të mira për ta fituar normën ka edhe boksierja Donjeta Sadiku, e cila ndodhet në Finlandë në përgatitje të përbashkëta me medalisten olimpike, Mira Potkonen, e gjithashtu edhe notarja Eda Zeqiri”, ka thënë Krasniqi të mërkurën për KOHËN.
Kosova aktualisht i ka të garantuar nëntë sportistë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, përfshirë gjashtë sportistë me normë dhe tri me ftesa. Dy ftesa i takojnë notit dhe një atletikës. Por, Krasniqi pret që Kosova në Tokio të udhëtojë me 13 garues.
“Unë si president i KOK-ut pres që ky numër të shkojë deri në 12 ose 13, gjithnjë duke llogaritur se edhe karateistët, edhe boksieren Sadiku, që do ta fitojnë normën olimpike, për çka unë uroj që të gjithë të kenë fat dhe suksese në garat që i presin”, është shprehur Krasniqi.
Krasniqi më herët ka thënë se pret nga Tokio të kthehen me më shumë se një medalje olimpike. Shpresat më të mëdha për medalje olimpike janë te xhudistët.