Sport

Qendra e mbrojtjes, kokëdhembje për Anglinë në Kupën e Botës

Xhiroja e parë e Premier Leagues ka qenë shqetësuese për Gareth Southgaten.

Vetëm një nga pesë qendërmbrojtësit e përfaqësueses të Anglisë në Kampionatin Evropian të verës së kaluar luajti në pozitën e duhur. Megjithatë, ishte një vikend i parehatshëm për Harry Maguiren pasi Manchester Unitedi humbi nga Brightoni.

Edhe Maguire ishte paksa jashtë pozitës së tij, pasi luajti në krahun e djathtë të qendrës së mbrojtjes, ndërsa gjithmonë ka luajtur në anën e majtë. Ai hasi në vështirësi. Në fakt, mbrojtësi më i mirë anglez në “Old Trafford” nuk ishte Maguire, por ai i Brightonit, Adam Webster, që nuk është ftuar ndonjëherë në përfaqësuese.

Ben White luajti në krahun e djathtë në fitoren e Arsenalit kundër Crystal Palacet. Impresiv ishte debutimi i William Salibas në qendër dhe francezi mund të mbetet në këtë pozitë derisa Mikel Arteta nuk e kthen sistemin me tre mbrojtës. Dhe Anglia nuk ka nevojë për ndonjë mbrojtës tjetër të krahut të djathtë, kështu që përzgjedhësin Southgate e shqetëson situata e Websterit.

John Stones ishte në bankën rezervë te Manchester City dhe nuk u inkuadrua në lojë, ndërsa Tyrone Mings e ka humbur vendin dhe shiritin e kapitenit tek Aston Villa, e po ashtu mund të largohet nga klubi.

Conor Coady tashmë është shtyrë ta bëjë një gjë të tillë pasi është liruar nga Wolverhampton Wanderers, përkatësisht i është thënë se nuk ka të ardhme aty. Ish-kapiteni tani është në huazim tek Evertoni.

Kur kanë mbetur më pak se 100 ditë deri në fillim të Kupës së Botës në Katar, situata është shqetësuese për Southgatein dhe asistentin e tij, Steve Holland. Të dy e dinë se qendra e mbrojtjes – bashkë me qendrën e mesfushës dhe krahun e majtë – janë pozitat shqetësuese për Anglinë.

Ka opsione të tjera, përfshirë Marc Guehin te Palace dhe Fikayo Tomorin, që ka përparuar shumë te kampioni i Italisë, Milani, që po e mendon ofrimin e kontratës së re për të. Të dy kanë nga tri paraqitje dhe ishin në skuadër të Anglisë. Por kishin paraqitje dëshpëruese në Ligën e Kombeve në muajin qershor. Nuk shkëlqyen, njësoj si gjithë të tjerët, shkruan.

Pastaj është edhe Eric Dier, i cili për herë të fundit nga 45 paraqitje sa i ka me Anglinë, luajti në nëntor të vitit 2020. Ai po paraqitet shumë mirë në sistemin me tre mbrojtës te Tottenham Hotspuri nën drejtimin e Antonio Contes dhe mund të marrë ftesë.

Marrë parasysh se Southgate e ka opsionin të luajë me Kyle Walkerin nëse dëshiron t’i përdorë tre qendërmbrojtës, sidomos pasi Anglia është e fortë me shumë lojtarë në krahun e djathtë të mbrojtjes, atëherë nuk do të ishte krizë shumë e madhe.

Ka edhe lojtarë të tjerë që mund të merren parasysh si Webster dhe Max Kilman i Wolvesit. Southgate i ka shikuar të dy, por me Kupën e Botës që është kaq afër, e edhe më e rëndësishme, me kaq pak kohë për përgatitje, atij i duhen lojtarë të cilët i ka përdorur më parë dhe e dinë se si mund të fitohet vendi.

Çështja komplikohet edhe më shumë për Anglinë në krahun e majtë të mbrojtjes, me Luke Shawin dhe Ben Chilwellin të shëruar plotësisht, por ende jo për të qenë titullarë. Kjo ka shtyrë Southgaten që ta zhvendosë Kieran Trippierin.

Paraqitje të fuqishme pati edhe Ryan Sessegnoni para fillimit të sezonit, por nuk dihet nëse do të mund ta përballojë konkurrencën e Ivan Perishiqit dhe ta ruajë vendin tek ekipi i Tottenhamit.

Dëshira e madhe e Southgatet është që të provojë të luajë me katër mbrojtës në Kupën e Botës, edhe nëse ato pozita vazhdojnë të mos jenë shumë bindëse me lojtarë. Por edhe mund të detyrohet të luajë me tre mbrojtës. Situata duhet të shikohet me kujdes.

Anglia ka vetëm edhe dy ndeshje – madje të forta – dhe më pas Southgate zgjedh lojtarët dhe ekipi fluturon drejt Dohas më 15 nëntor.

Anglia e kompleton kampanjën e Ligës së Kombeve në udhëtim tek Italia më 23 shtator dhe më pas luan në shtëpi kundër Gjermanisë më 26 shtator. Këto ndeshje janë të rëndësishme, sepse Anglia rrezikon të largohet nga Liga A, që do të ishte e turpshme dhe e dëmshme.

Për shkak se Premier League pauzon më 13 nëntor dhe Anglia nis turneun tetë ditë më vonë, nuk ka kohë që të thirret ndonjë lojtar që nuk luan rregullisht. Mbetet të shihet nëse është një problem që mund të largohet lehtë, apo që do të kthehet në çështje alarmante për Southgaten në javët e ardhshme.