Sport

PSG-ja kërkon të kthehet te fitorja ndaj Leipzigut

Pas pushimit prej dy javëve, rikthehet Liga e Kampionëve me ndeshjet e xhiros së katërt të fazës së grupeve. Të martën do të zhvillohen ndeshjet e grupeve E, F, G dhe H, ndërsa ndeshja më interesante do të jetë ajo ndërmjet Paris Saint-Germainit dhe Leipzigut.

Kjo ndeshje i takon Grupit H dhe zhvillohet në Paris prej orës 21:00.

Dueli i parë i zhvilluar në Gjermani mes këtyre dy skuadrave pati përfunduar me fitoren minimale 2:1 të Leipzigut.

Te PSG-ja, për këtë ndeshje janë rikthyer sulmuesit Neymar e Kylian Mbappe derisa do të mungojnë Thilo Kehrer, Juan Bernat, Marco Verratti, Julian Draxler, Mauro Icardi e Presnel Kimpembe.

PSG-ja zë vendin e tretë në grup me tri pikë të mbledhura, sa i ka edhe Istanbul Bashakshehiri në pozitën e fundit. Ndërkohë, Leipzigu është i dyti me gjashtë pikë sikurse Manchester Unitedi që është lider.

Ndeshja tjetër e këtij grupi do të jetë ajo ndërmjet Manchester Unitedit dhe Istanbul Bashakshehirit në “Old Trafford”. Në ndeshjen e luajtur në Turqi, Manchesteri pësoi humbje nga ekipi turk me shifrat 2:1.

Prej orës 21:00 do të luhen edhe ndeshjet e Grupit F dhe G derisa nga ora 18:55 do të nisin duelet e Grupit E, Krasnodar – Sevilla e Rennes – Chelsea.