Në fillim të këtij muaji, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, nuk tregoi nëse UEFA ka në plan ta ndihmojë Kosovën me ndonjë projekt rreth infrastrukturës. Ademi gjatë një konference të përbashkët me shefin e futbollit të UEFA-s, Zvonimir Boban, pati thënë se nuk është refuzuar asnjë projekt i Kosovës nga UEFA dhe FIFA. Në fakt, Kosova ende nuk ka përfituar ndonjë projekt gjigant nga UEFA dhe FIFA. Ademi të mërkurën ka paraqitur projektet dhe nevojat financiare për infrastrukturë, edukim e zhvillim, futbollin e femrave dhe për “Grassroots”. Projektet e paraqitura nga Ademi në UEFA janë publikuar edhe në uebfaqen e FFK-së. Projektet e prezantuara janë vlerësuar mashtrim nga ish-kryetari i Prishtinës, Remzi Ejupi. Ejupi është pjesë e Bordit të klubit Prishtina, ndërsa në krye të saj ka qenë për më shumë se një dekadë.
“Të gjitha projektet e prezantuara në komitetin ‘HatTrick’, duke përfshirë edhe specializimin e administratës në kurset e UEFA-s, janë përfshirë në Strategjinë e FFK-së për 5 vjetët e ardhshëm”, thuhet, ndër të tjera, në shkrimin e FFK-së.
Projekti i parë sipas radhitjes është projekti, siç e ka quajtur ai “Kampusi i sportit të kryeqytetit”. Në Kampus, sipas shkrimit të FFK-së parashihet të jetë edhe një stadium tjetër i kategorisë së katërt të UEFA-s, si dhe disa fusha ndihmëse.
“Pjesë e këtij kampusi parashihet të jetë edhe një palestër multifunksionale, e cila do të jetë edhe në shërbim të klubeve të futsallit, si dhe për ekipet kombëtare të futsallit”, thuhet në fillim të shkrimit të gjatë.
Tutje thuhet se presidenti Ademi prezantoi edhe projektin e energjisë efiçiente dhe atë të shëndetësisë sportive. Ai, po ashtu, sipas FFK-së, paraqiti projektin për vazhdimin ndërtimeve në Kampin Nacional në Hajvali, ku do të ndërtohet edhe një fushë e mbyllur me standardet e UEFA-s, e ku do të mund të stërviten ekipet kombëtare gjatë periudhës së dimrit.
“Gjatë paraqitjes së tij, kreu i FFK-së prezantoi edhe një projekt të veçantë për mirëmbajtjen e stadiumeve dhe objekteve sportive, teksa shpalosi edhe fillimin e projektit të kampit në Obiliq, pastaj projektin multietnik në Kishnicë, projektin e Karantinës së Ekipeve Nacionale në Batllavë, si dhe të shtëpisë për rehabilitimin e futbollistëve (sportistëve) pas operimeve ose lëndimeve. Gjithashtu, Ademi paraqiti edhe një marrëveshje që do të funksionalizohet me Institutin e Mjekësisë Sportive në Orllan, për të cilën ndërtesë është bërë kërkesa te kryetari dhe Asambleja e Komunës së Podujevës. Një tjetër projekt shumë atraktiv, i cili u prezantua para Komitetit HatTrick është edhe ai në parkun e Gërmisë, të cilin presidenti i FFK-së e ka vlerësuar si projekt sportiv-ekonomik, nëpërmjet të cilit kryeqyteti i Kosovës do t’i japë mundësi rinisë për aktivitete sportive”.
Si projekt i rëndësisë së veçantë është prezantua krijimi i Kolegjit të Futbollit e po ashtu edhe përzgjedhjes së 50 trajnerëve të rinj të Kosovës, të cilët do të ndjekin edukimin nëpër klubet e ligave evropiane.
“Presidenti Ademi raportoi edhe për projektet e realizuara me komunat dhe ato që janë të parapara për t’u finalizuar, teksa theksoi se çdo komunë që bën memorandum me FFK-në do ta ketë mundësinë e ndërtimit të fushave stërvitore. Në fund, kreu i FFK-së kërkoi përkrahje nga anëtarët e tjerë të Komitetit HatTrick për të gjitha projektet e FFK-së, duke theksuar rëndësinë që rinisë së Kosovës t’i krijohen mundësitë dhe hapësirat e nevojshme për ta zhvilluar talentin e tyre në futboll. Ai tha se Kosova është me fat që ka rini shumë të talentuar, dhe kjo po dëshmohet si në vendin tonë, ashtu edhe në çdo vend të Evropës dhe botës ku jetojnë e veprojnë bashkatdhetarët tanë”, thuhet në shkrimin e FFK-së.
Por ish-kryetari i Prishtinës, Remzi Ejupi, ka theksuar se të gjitha janë mashtrime.
“Është vetëm një mashtrim. Nuk e ka bërë as projektin Kampion Nacional në Obiliq, është improvizuar një në Hajvali, me Komunën e Prishtinës, me Shpendin, të cilit nuk i dihet as fillimi, bishti e as fundi. Pra, sa janë investuar dhe si janë investuar. Deri tash vetëm i ka dëmtuar të gjitha qytetet duke i rregulluar nga një fushë me bari sintetik, e që janë të mashtruar me shifra marramendëse, ku nuk dihet kush janë punëkryesit, janë njerëzit e tij, asgjë tjetër më shumë. Është vetëm një mashtrim dhe t’u hidhet hi në sy se nuk ka bërë asgjë. Klubet janë drejt falimentimit, vuajnë, ndërsa ai shkon dhe tallet nëpër Turqi me veteranët. Thotë kam krijuar përfaqësuesen e veteranëve për të fituar simpatinë e tyre”, ka thënë Ejupi.
Ejupi ka dyshime edhe për keqpërdorime.
“Me këtë kryesi, me atë në krye vetëm do të keqpërdoret, ashtu siç është bërë edhe në të kaluarën. Kanë hyrë mbi 60 milionë euro që pas pranimit dhe janë shitur 15 milionë euro bileta dhe nuk dihet ku janë dhe ku kanë përfunduar. Andaj i ftoj klubet dhe atë të bëhet një auditim, pastaj flasim me projekte të tjera. Merre shembull Shqipërinë që pret kryetarin e FIFA-s me projekte, ndërsa këto janë vetëm ide të tij dhe asgjë tjetër. Janë të rrejshme, të fitoj kohë dhe simpati. Një stadium është ndërtuar këtu në Prishtinë, i cili ka kushtuar 4 milionë, ndërsa është bërë fatura 11 milionë. Edhe në Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Pejë. Te Prishtina ende luhet, ndërsa nuk është bërë ende pranim-dorëzimi. Klubet nuk duhet t’u besojnë aspak këtyre projekteve, pasi edhe mjetet e solidaritet nuk janë marrë”, është shprehur Ejupi.
Ejupi ka akuzuar Ademin se po keqpërdor çdo gjë të futbollit.
“Në kohë pandemie shkonte dhe blinte fusha plastike dhe thoshte ta dhashë barin. Shkoni shikoni sa kushtojnë ato fusha. Kjo qeveri ka thënë se do të jetë e drejtësisë, por akoma nuk po funksionin siç duhet. Një njeri i penalizuar, i dënuar në të gjitha instancat sërish të mbijetojë dhe ta keqpërdorë futbollin, është mëkat. Është i njohur për uzurpime të tokave. Edhe te ne ka ardhë, na e ka uzurpuar fushën. Është duke keqpërdorur çdo gjë të futbollit. Po e keqpërdor djersën”, ka thënë Ejupi.