Skuadra e Sigal Prishtinës ka pësuar humbje në shtëpi në xhiron e shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Prishtina të enjten u mposht nga Prizreni-16 me rezultatin 108:100. Për Prishtinën, kjo ishte humbja e tretë këtë edicion të Superligës, ndërsa Prizreni-16 regjistroi fitoren e pestë.
Amerikani Courtney Fells ka udhëhequr ekipin prizrenas drejt fitores në këtë derbi. Fells ndeshjen e përfundoi me 31 pikë të shënuara, katër kërcime e pesë asistime kurse me lojë të mirë te Prizreni-16, u veçuan edhe Ivan Koleviq (23) e Urim Zenelaj që regjistroi “double-double” prej 18 pikëve e 14 kërcimeve.
Te Prishtina, gjashtë basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore por kjo nuk mjaftoi për ta evituar humbjen nga Prizreni-16. Më efikasi ishte amerikani Dachon Burke me 17 pikë të shënuara, i përcjellë nga Jetmir Zeqiri (16), Jan Palokaj (16), Nick Tomsick (14), Lejson Zeqiri (14) dhe Meriton Ismaili që pati 12 pikë.