Sigal Prishtina ka pësuar humbje në kryeqytet nga skuadra Prizreni-16. Ndeshja e luajtur të dielën, e që i takoi xhiros së 21-t të Superligës së Kosovës në basketboll, u mbyll me shifrat 78:75 në të mirë të ekipit mysafir.
Me këtë fitore, Prizreni-16 ka tubuar 32 pikë, një më shumë se Sigal Prishtina që pësoi humbjen e 11-të këtë sezon në elitë karshi dhjetë fitoreve. Përforcimi i Prizrenit-16, Darrell Davis ishte më i merituari për këtë fitore.
Ai ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 26 pikëve e dhjetë kërcimeve, ndërsa shtoi edhe gjashtë asistime. Edhe qendra Urim Zenelaj kontribuoi me 19 pikë e 12 kërcime, ndërsa Arti Hajdari shtoi 16 pikë. Te Prishtina, vetëm tre basketbollistë e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore. Më i dalluari ishte Wendell Mitchell me 22 pikë, i përcjellë nga Meriton Ismaili (17) e Jan Palokaj (13).