Sport

Pritjet e Lulanoviqit për suksesin historik të Ballkanit

Portieri i Ballkanit, Damir Lulanoviq, tregohet modest për paraqitjen e mirë që e pati ndaj Klaksvikut, në ndeshjen e kthimit të rundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Falë pritjeve të tij, Ballkani e eliminoi Klaksvikun e Ishujve Faroe për të avancuar në fazën e plejofit të Ligës së Konferencës. Me sigurimin e plejofit, Ballkani ka shkruar historinë e futbollit kosovar duke u bërë ekipi i parë që do të luajë në këtë rund në ndonjërën nga kupat evropiane.

Në plejof Ballkani do të përballet me Shkupin dhe nëse arrin ta kalojë edhe këtë pengesë, do të paraqitet në fazën e grupeve të edicionit të dytë të Ligës së Konferencës.

Shtatlarti Lulanoviq bëri dy pritje gjatë serisë së penalltive të enjten mbrëma, për t’ia mundësuar Lindon Emërllahut gjuajtjen vendimtare. Ballkani e mposhti 4:3 Klaksvikun në penallti, pasi rezultati i përgjithshëm i dy ndeshjeve ishte 4:4.

Lulanoviq nuk dëshiron që të vlerësohet hero i ekipit nga Suhareka. Ai insiston se meritat për avancim në plejof u takojnë të gjithë lojtarëve dhe stafit të ekipit, që, sipas tij, kanë bërë një punë fantastike për ta shkruar historinë.

“Nuk ndihem si hero i ekipit, për shkak se të gjithë futbollistët ishim hero të vërtetë, jo vetëm në ndeshjen e kthimit ndaj Klaksvikut, por në gjithë rrugëtimin evropian të këtij sezoni. Megjithatë më vjen mirë që u ndihmova bashkëlojtarëve dhe ekipit që të kualifikohemi në plejof. Ballkani si ekip meriton të luajë në këtë fazë”, është shprehur Lulanoviq për KOHËN, të premten.

Në fakt, për 30-vjeçarin Lulanoviq ishte paraqitja e tretë këtë edicion në gara evropiane. Ai në dy ndeshjet e rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Zhalgirisit qëndroi në stol. Në portë ishte Stivi Frashëri. Frashërit iu besua porta edhe në ndeshjen e parë ndaj La Fioritas, por në të dytën u aktivizua Lulanoviq. Portieri nga Mali i Zi kishte besimin e Ilir Dajës edhe në dy ndeshjet me Klaksvikun. Dhe me pritjen e dy penalltive ka bërë dallimin në ndeshjen vendimtare të së enjtes mbrëma.

Lulanoviq thotë se e ka pritur momentin e tij dhe vazhdimisht ka stërvitur me përkushtim të madh. Madje ai ka parashikuar një moment të tillë, siç e quan historik.

Lulanoviq është pjesë e Ballkanit prej edicionit 2020/21, në të cilin regjistroi 22 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa edicionin e shkuar pati vetëm katër ndeshje në Superligë, ku ekipi nga Suhareka e fitoi titullin e kampionit.

“E kam pritur rastin tim, kam stërvitur me përkushtim të madh sepse e kam ditur që do të kem rastin tim. E dija se do të vijë një moment i ngjashëm sikur ky me Klaksvikun dhe jam shumë i lumtur që isha në portë për ndeshjen historike”, insistoi ai.

Lulanoviq dëshiron të shijojë momentin dhe nuk brengoset nëse në ndeshjet e tjera do të jetë titullar, apo jo. Ai thotë se do të vazhdojë të punojë dhe se në fund është shtabi teknik që vendos për portierin e parë të ekipit.

“Çka do të ndodhë më vonë nuk e di, por mund të them se unë do të punoj me vullnet të madh dhe do ta jap më të mirën nga vetja. Pastaj i mbetet trajnerit të vendosë se kush do të luajë. Për mua ka rëndësi suksesi i ekipit”, u shpreh Lulanoviq.

Sa u përket penalltive ndaj Klaksvikut, Lulanoviq zbulon se nuk ka pasur ndonjë strategji. Madje thotë se nuk ka besuar se fituesi do të përcaktohet nëpërmjet penalltive.

“Penalltitë janë sikur ruletë dhe nuk kam menduar shumë, të them të drejtën. Kam shkuar në secilën penallti një nga një dhe në fund ia dola t’i pres dy penallti, për çka jam shumë i lumtur dhe krenar pasi ekipi e ka vazhduar ëndrrën evropiane”, shtoi ai.

Sa u përket ndeshjeve të plejofit ndaj Shkupit, që është kampion i Maqedonisë së Veriut, Lulanoviq pranon se do të jenë shumë të vështira. Thotë se pasi kanë arritur deri këtu, atëherë pse të mos e kërkojnë edhe pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, që do të ishte sukses edhe më i madh për futbollin kosovar.

Ekipi i vetëm shqiptar që deri më tani ka luajtur në fazën e grupeve të garave evropiane është Skendërbeu i Korçës, që u paraqit dy herë në Ligën e Evropës.

“Pasi kemi ardhur deri në plejof, duhet ta kërkojmë edhe hyrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Përballë e kemi një kundërshtar shumë të fortë si Shkupi, që ka një ekip fantastik. Mirëpo, edhe ne kemi cilësi në ekip dhe sigurisht se do të japim gjithçka nga vetja për të dalë fitues nga këto duele”, u shpreh Lulanoviq.

Lulanoviq me të përfunduar edicioni i shkuar në Superligën e Kosovës, ishte prej lojtarëve të parë që e vazhdoi bashkëpunimin me Ballkanin. Ai firmosi kontratë edhe për dy edicione të tjera, deri në verën e vitit 2024.