Për herë të tretë rresht Prishtina ka përfunduar nënkampione e Kosovës në futboll. Për herë të dytë rresht titulli është vendosur në ndeshjen finale, me Prishtinën protagoniste, por skuadra e kaltër ka mbetur pa trofe.
Dhe kështu pritja e Prishtinës për titull të ri vazhdon. Skuadra më e suksesshme e vendit e ka fituar titullin e fundit në vitin 2013, ndërsa prej atëherë Feronikeli ka fituar tre tituj të kampionit dhe Vushtrria, Trepça '89 e Drita nga një, shkruan sot Koha Ditore.
Të dielën në Drenas, Feronikeli fitoi 1:0 ndaj Prishtinës dhe kështu iu gëzua titullit të tretë. Feronikeli e mbylli kampionatin me 80 pikë, ndërsa Prishtina me 75 pikë. Në ndeshjen e fundit Prishtinës i është dashur fitorja për të dalë kampione. Por paraqitja në fushë ishte larg prej asaj që siguron fitore në ndeshjen vendimtare. Kështu kanë vlerësuar në klubin Prishtina.
Para një viti Prishtinës i duhej fitorja me dy gola dallim ndaj Dritës në ndeshjen e fundit për të siguruar titullin. Ajo ndeshje përfundoi pa gola. Ndërkohë në edicionin 2016/17, Prishtina përfundoi pas Trepçës '89. Mitrovicasit kishin 77 pikë, ndërsa Prishtina 72.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)