Sport

Prishtina synon befasinë në Hungari

Sabien Lilaj është prezantuar si përforcim nga klubi Hapoel Ramat Gan, që garon në Kategorinë e Dytë të Izraelit. Njoftimi për arritjen e marrëveshjes i publikuar më 28 qershor nga klubi izraelit nuk është hequr ende, ndonëse te Prishtina janë kategorikë se Lilaj nuk do të largohet, meqë ka edhe dy vjet kontratë. Edhe Lilaj nuk ka njoftuar për largimin nga Prishtina. Futbollisti me përvojë nga Shqipëria ka udhëtuar me Prishtinën drejt Budapestit, qytet ku të martën do ta luaj ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Ferencvaroshit. Ndeshja do të zhvillohet nga ora 18:00. Lilaj, madje, para nisjes për në Hungari ka theksuar se do ta shijojë ndeshjen përballë kampionit hungarez.

“Objektivi ynë i vërtetë ishin dy ndeshjet e para, sepse ato dyja ishin niveli ynë apo pak më i dobët. E kishim për detyrim fitoren, tani Ferencvaroshi të gjithë e dimë që është tjetër nivel, por kjo nuk do të thotë që ne do të shkojmë të dorëzuar. Do të shkojmë ta japim maksimumin dhe ta shijojmë këtë ndeshje, sepse rrallëherë na bie të luajmë kundër kundërshtarëve të tillë”, ka thënë Lilaj për KOHËN.

Ai ka shtuar se ndaj kampionit hungarez do të luajnë me maturi.

“Të luajmë hapur do të jetë vështirë, këtë e ka planifikuar edhe trajneri, të luajmë mirë dhe me kundërsulme të godasim kundërshtarin”, është shprehur Lilaj.

Raundin e parë kualifikues të “Championist”, kampionia e Kosovës e siguroi falë dy fitoreve në ndeshjet parakualifikuese të zhvilluara në Elbasan. E mposhti 2:0 Folgoren në gjysmëfinale të turneut parakualifikues, kurse në finale fitoi me po të njëjtin rezultat ndaj Inter d’Escaldes. Dy fitoret e arritura në Shqipëri për trajnerin Zekirija Ramadani i takojnë historisë, ndërsa fokusi te futbollistët e tij mbetet ndeshja kundër hungarezëve.

“Ato dy fitoret kanë hyrë në histori dhe nuk do t’i diskutojmë fare me ekipin pasi kemi një kundërshtar të vështirë përballë një kundërshtar mjaft të vështirë dhe duhet përqendrim maksimal ndaj ekipit kampion të Hungarisë. Nuk duhet të shkojmë me flamur të bardhë të dorëzuar, por të japim maksimumin. Motivin nuk duhet ta diskutojmë, sepse përballë kemi një skuadër që ka marrë pjesë edhe në fazë të grupeve të Ligës së Kampionëve. Kam besim te këta lojtarë dhe besoj se do ta bëjnë më të mirën për të arritur rezultat pozitiv. Janë dy ndeshje dhe duhet ta menaxhojmë ndeshjen e parë e pastaj në Prishtinë mund të bëjmë një paraqitje më të mirë”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka thënë se Prishtinës do t’i mungojë vetëm Leonit Abazi. Ai pret nga lojtarët e tjerë ta japin maksimumin për të arritur rezultat pozitiv.

“Një sportist që nuk ka besim në vete, nuk mund të bëhet sportist, por i suksesshëm assesi. Besimi ekziston, optimizmi ekziston dhe do të bëjmë të pamundurën për të arritur rezultat pozitiv”, është shprehur trajneri shkupjan.

Rezultat pozitiv pret edhe mesfushori Qëndrim Zyba.

“Nuk do të shkojmë të dorëzuar, do të shkojmë për të luftuar për të marrim rezultat pozitiv dhe të bëjmë ndonjë befasi. Do ta japim maksimumin për të nxjerr një rezultat sa më pozitiv për ta përfaqësuar në mënyrën më të mirë klubin dhe gjithë shtetin”, ka thënë Zyba.

Për Prishtinën është viti i katërt rresht që merr pjesë në garat evropiane, ndërsa në raundin e parë të Ligës së Konferencës këtë edicion do të marrin pjesë edhe nënkampionia Drita dhe fituesi i Kupës, Llapi. Të dyja ekipet ndeshjet e tyre i luajnë të enjten.