Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prishtina kundër ekipit më të trofeshëm danez në Europe Cup

Pas përfundimit të kualifikimeve për FIBA Europe Cup, janë caktuar grupet në këtë garë evropiane në të cilën bën pjesë edhe Z Mobile Prishtina.

Prishtina sivjet do të bëjë gara ndaj Bakken Bears, ekipit më të trofeshëm në Danimarkë dhe është pjesëmarrës i rregullt i garave evropiane. Përveç danezëve në grupin E, klubi nga Kosova do të përballet edhe me Cherkaski Mavpyn e Ukrainës dhe Seaua Bucuresti nga Rumania.

“Bakken Bears janë skuadra më e trofeshme në Danimarkë me 16 tituj e 11 Kupa. Kampioni aktual i Danimarkës është pjesëmarrës i rregullt në garat evropiane dhe vitin që lam pas ishte edhe në TOP 4 ekipet e FIBA Europe Cup, ku humbi në gjysmëfinale”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

“Cherkaski Mavpy, kampion aktual në Ukrainë, ku dihet se basketbolli në shtetet e ish Bashkimit Sovjetik është sport mjaft i zhvilluar. Ukrainasit gjithashtu kanë marrë pjesë edhe më herët në garat evropiane, si FIBA Euro Cup dhe FIBA Europe Cup”, thuhet më tej.

Steaua Bucuresti emër i njohur në sportin evropian. 21 herë kampion i Rumanisë dhe dikur ishte renditur e treta në Euroleague. Traditë të madhe në basketboll si në Superligën rumune, ashtu si edhe dy ekipet tjera të grupit, me eksperiencë të madhe në Evropë.

Z Mobile Prishtina në ndeshjen e parë më 16 tetor, e pret kampionin ukrainas Cherkaski Mavpy.

Image