Plot tetë klube të futbollit janë të regjistruara në Komunën e Prishtinës. Por, kryeqyteti në edicionin e ardhshëm do të përfaqësohet me vetëm një skuadër në elitën e futbollit kosovar.
Prishtina do të jetë e vetmja që edicionin e ri, që nis në muajin shtator, do të luajë në Superligë. Madje, kryeqyteti i Kosovës është i vetmi në rajon që ka vetëm një skuadër në elitë.
Kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, përfaqësohet me më së shumti ekipe – pesë. Pjesë e elitës se futbollit të Serbisë janë: Cërvena Zvezda, Partizani, Radi, Çukariqki dhe Vozhdovac. Pas Beogradit, me katër ekipe në elitë përfaqësohet Shkupi i Maqedonisë së Veriut me skuadrat, Makedonija GP, Rabotniçki, Shkupi dhe Vardari. Me tri ekipe janë Podgorica e Malit të Zi: Buduçnosti, Podgorica dhe OFK Titograd, si dhe Sarajeva e Bosnjës: Olimpik, Sarajevo dhe Zhelezniqari. Zagrebi i Kroacisë, Lubjana e Sllovenisë dhe Tirana e Shqipërisë me nga dy ekipe. Zagrebi me Dinamon dhe Lokomotivën, Lubjana me Bravon dhe Olimpijën, derisa Tirana me ekipin e Tiranës dhe Partizanin.
Në fakt, Flamurtari këtë edicion, që përfundoi pak ditë më parë, nuk arriti të mbijetonte në Superligë. Dhe, një pjesë të fajit e hodhi te klubi i Prishtinës, duke pretenduar se ia lëshoi ndeshjen Trepçës ’89, gjë që u mohua kategorikisht nga drejtuesit e klubit “bardhekaltër”, që kanë mbetur të vetëm për edicionin e ri.
E për këtë situatë te Prishtina kanë hedhur fajin te Lidhja Rajonale e Futbollit të Prishtinës dhe Komuna e Prishtinës.
Kryetari i klubit Prishtina, Remzi Ejupi, thotë se është nënçmuese për kryeqytetin të përfaqësohet vetëm me një ekip. Prishtina pak ditë më parë fitoi Kupën dhe siguroi pjesëmarrjen e katërt rresht në kualifikimet e Ligës së Evropës.
“Është mirë të pyetet kryetari i Lidhjes Rajonale që na ka përfaqësuar për 20 vjet. Është pyetje po ashtu edhe për kryetarin e Komunës së Prishtinës, sepse Lidhja Rajonale punon vetëm kur është puna e votave. Për numër të banorëve është nënçmuese që kryeqyteti të përfaqësohet me vetëm një ekip në Superligë. Kjo tregon më mirë se jo që nuk është ndihmuar kryeqyteti, por është dëmtuar shumë”, ka thënë Ejupi për KOHËN.
Akuzave të Ejupit u janë përgjigjur kryetari i Lidhjes Rajonale të Prishtinës, Ismajl Ajeti dhe drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha. Të dy kanë thënë se u takon klubeve të organizohen.
Ajeti ka thënë se nuk qëndrojnë akuzat e Ejupit, se nuk janë mbështetur nga Lidhja Rajonale.
“U duhet klubeve të organizohen, por të mos harrojmë se të gjitha qëndrojnë dobët ekonomikisht. Kanë telashe në këtë aspekt, derisa ajo që akuzohemi nga Ejupi nuk qëndron. Lidhja Rajonale e ka mbështetur sa ka mundur me të gjitha kapacitetet, sepse ne nuk kemi buxhet, por çdo kërkese të tyre i kemi dalë në krah. U takon klubeve të organizohen. Unë pres që në të ardhmen të ketë organizim më të mirëfilltë nga klubet e Prishtinës”, ka thënë Ajeti