Sigal Prishtina i ka dhënë fund serisë prej tri humbjeve rresht në Superligën e Kosovës në basketboll pas fitores ndaj Trepçës.
Në duelin e xhiros së nëntë që u zhvillua të dielën në palestrën “Minatori” të Mitrovicës, skuadra e Sigal Prishtinës triumfoi me rezultatin 78:70. Për Prishtinën, kjo është fitorja e tretë këtë edicion karshi gjashtë humbjeve dhe e ngrit në pozitën e parafundit në tabelë me 12 pikë, një më shumë se Trepça që mbetet e fundit.
Daniel Lekndreaj me “double-double” prej 24 pikëve e 12 kërcimeve, e ka udhëhequr Prishtinën drejt fitores në këtë përballje. Te Prishtina, me lojë të mirë u veçuan edhe Mehmedali Janjeva (24) e Arian Qallaku (13).
Në anën tjetër, për Trepçën që regjistroi humbjen e pestë rresht në Superligë, më efikasit ishin Valdrin Haxhiu (21) e Mojeed Ewuosho (16). Trepça, këtë edicion ka vetëm dy fitore dhe ndeshjen e radhës e luan në udhëtim kundër Golden Eagle Yllit në Suharekë.