Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prezantohet projekti “Gjithëpërfshirja sociale e të rinjve përmes aktiviteteve në natyrë”

Klubi alpinist "Prishtina" ka prezantuar sot projektin "Gjithëpërfshirja sociale e të rinjve përmes aktiviteteve në natyrë", me ç’rast iu bë thirrje të rinjve që të jenë sa më afër aktiviteteve që organizohen në natyrë.

Kryetari i klubit alpinist "Prishtina", Nazmi Hasanramaj, u shpreh se ky projekt do të ndihmojë në të ardhmen të rinjtë të dinë të mirat që sjellë pjesëmarrja në aktivitete që organizohen në natyrë.

"E kemi pasur një rrugë të gjatë, e cila na ka ndihmuar për të gjithë akterët që kanë qenë të involvuar në projekt. Edhe ne vetë si trajnerë dhe si staf i klubit alpinist "Prishtina" kemi mësuar gjatë rrugës sonë. Ajo çfarë kemi mësuar më së shumti dhe kuptuar gjatë këtij projektit është vullneti i madh i njerëzve për t’i bërë këto aktivitete, vullneti i madh i shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve pa dallim etnie për të marrë pjesë në sportet që kanë të bëjnë me natyrën", tha Hasanramaj.

Koordinatori i projektit Kristian Gashi ka prezantuar punën njëvjeçare të cilën ata e kanë bërë.

"Komunat të cilat kanë marrë pjesë janë: Dragashi, Mitrovica Veriore, Prizreni, Kamenica, Mitrovica Jugore, Istogu, Lipjani dhe Mamusha, nga të gjitha komunitetet, do të thotë ka pasur pjesëmarrës të të rinjve gjithashtu mësuesit dhe edukatorët të të gjitha komuniteteve, shqiptar, serb, turq, komuniteti RAE dhe boshnjak, të cilët janë aftësuar si trajnerë të licencuar në fusha specifike të sporteve në natyrë", tha Gashi.

Menaxheri i projektit Labinot Salihu u shpreh i lumtur me atë që kanë arritur të bëjnë gjatë kampeve të cilat i kanë organizuar.

Edhe Prezantohet programi për mësimin gjithëditor në pesë shkolla të Prishtinës Arbëri Prezantohet programi për mësimin gjithëditor në pesë shkolla të Prishtinës

"Me të vërtetë kampet e skijimit, por edhe aktivitetet tjera kanë qenë aktivitete në të cilat fëmijët përveç se kanë kaluar mirë, janë shoqëruar, kanë mësuar mjaft. Sa për informatë, ne një kamp të skijimit prej 25 fëmijëve, 17-18 prej tyre kanë marrë aftësi bazike dhe kanë mësuar skijim dhe duke e marrë parasysh që një pjesë e madhe prej tyre për herë të parë kanë parë ski", tha Salihu.

Kujtojmë që ky projekt është i mbështetur nga Ambasada britanike në Prishtinë dhe u implementua nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në bashkëpunim me klubin alpinist Prishtina. Në fund të kësaj ceremonie u shpërndan certifikata për mësimdhënësit që ishin pjesë e projektit./KsP.