Sport

Pranimi i Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, me tetë vjet vonesë

Kur Komiteti Olimpik i Kosovës u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në dhjetor të vitit 2014, pritjet ishin që shumë shpejt do të pranohet edhe Komiteti Paralimpik i Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar.

Prej atëherë janë zhvilluar dy edicione të Lojërave Paralimpike Verore e dy të tjera të Lojërave Paralimpike Dimërore. Kosova nuk ishte pjesë e tyre. Komiteti Paralimpik i Kosovës nuk ia doli të anëtarësohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Nuk kishte ndonjë pengesë të natyrës politike, pranimi në IOC hapte të gjitha rrugët.

Problemi ishte i brendshëm, i organizimit jo të duhur të lëvizjet paralimpike në Kosovë.

Dhe më në fund, pas pritjes shumë të gjatë dhe jo shumë të arsyeshme, Komiteti Paralimpik i Kosovës është pranuar në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar.

Lajmin për pranim e ka dhënë Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të shtunën.

“Në Vushtrri sot dhe nesër janë duke u mbajtur garat sportive të personave me aftësi të kufizuara, në organizimin e Komitetit Paralimpik të Kosovës. Dhe sot në hapjen e këtyre garave, është kumtuar edhe lajmi që Komiteti Paralimpik i Kosovës është anëtarësuar në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Edhe një arritje shumë e rëndësishme e ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës. Unë e shfrytëzoj rastin që ta uroj Komitetin Paralimpik, lëvizjen paralimpike të Kosovës, të gjithë sportistët paralimpikë të cilët tash e tutje do ta kenë edhe një mundësi shtesë të pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare. Me këtë anëtarësim, sportit të personave me aftësi të kufizuara i është hapur rruga dhe mundësia për të marrë pjesë në Lojërat Paralimpike ‘Paris 2024’”, ka thënë Çeku në një konferencë për shtyp.

Lojërat Paralimpike mbahen pak javë pas Lojërave Olimpike, në vendin e njëjtë me Lojërat Olimpike. Organizimet janë madhështore, ndërsa pjesëmarrja e sportistëve me aftësi të kufizuara, masive.

Por paralimpistët kosovarë nuk e kanë pasur këtë mundësi deri më tani.

“Jemi duke punuar shumë për fuqizimin e kapaciteteve të federatave të sportistëve me aftësi të kufizuara në Kosovë. Sot dhe nesër në Vushtrri vazhdojnë garat në sportet e aftësisë së kufizuar, ndërsa paralelisht me urimin për këtë anëtarësim ndërkombëtar, ne sot edhe atje edhe këtu po e përsërisim angazhimin, vullnetin dhe zotimin tonë që sportistët tanë në Lojërat e ardhshme ‘Parisi 2024’, jo vetëm që do të garojnë, por jemi besimplotë që do të kthehemi edhe me medalje”, ka vazhduar Çeku.

Komiteti Paralimpik i Kosovës është themeluar në vitin 2012. Kryetarja e tij, Njomza Emini, ishte arsyetuar në vjeshtën e kaluar se për pranim në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar duhen më shumë federata.

“Na duhen ende federata t’i themelojmë dhe jemi në proces. Aplikimin e kemi dorëzuar dhe na kanë kërkuar disa detyra të tjera”, kishte thënë Emini.

KPK-ja nuk ka pasur organizim të denjë dhe për këtë e kishte të pamundur anëtarësimin. Janë kërkuar klube e federata paralimpike, që në Kosovë nuk kanë ekzistuar mjaftueshëm.

Vlerësohet se Kosova ka sportistë me nivel për të kërkuar medalje në ngjarjet e mëdha paralimpike. Një prej tyre është Grevist Bytyqi, atleti i Malishevës. Ai nuk e ka njërën dorë, ndërsa garon me sportistët me aftësi të plota. Dhe është goxha i suksesshëm në nivel vendi. Ka edhe dhjetëra apo qindra sportistë të tjerë me aftësi të kufizuara që ëndërrojnë për pjesëmarrje në Lojërat Paralimpike.