Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ponte zyrtarizon edhe amerikanin Vaughn

Brenda dy ditëve, Ponte Prizreni ka zyrtarizuar dy përforcime. Të martën, ekipi prizrenas e prezantoi Landon Taliaferron kurse të mërkurën ka zyrtarizuar edhe amerikanin tjetër Kwame Vaughn.

Të dy përforcimet te Ponte Prizreni, do të debutojnë të enjten në derbin lokal kundër skuadrës së Bashkimit.

Vaughn (193 cm) luan në pozitën e fundorit dhe ka përvojë të madhe pasi ka luajtur nëpër disa prej ligave më të mira të Evropës. Ai ka qenë pjesë e skuadrave si Antwerpen, Asvel, Frankfurt Skylines, Partizan e Zadar kurse sezonin e fundit ishte pjesë e ekipit Al Ittihad.

“Ashtu siç ju paralajmëruam, transferi i fundit i skuadrës është lojtari i njohur me karrierë nga Europa, Kwame Vaughn. Kwame i gjatë 193 centimetra luan në pozitat fundore, ku pa dyshim eksperienca e tij do jetë kapital për skuadrën tonë. Përvojat dhe sukseset e tij kanë qene të mëdha duke lënë gjurmë në Champions league, ABA Ligë etj”, thuhet në njoftimin e Ponte Prizrenit që pas 19 xhirove në Superligën e Kosovës në basketboll zë vendin e dytë me 23 pikë të mbledhura, sa i ka edhe Golden Eagle Ylli në të parën.