Sport

Polisi: Evropiani mbetet vetëm ëndërr për Kosovën

Gazetari i sportit në KOHA, Faton Polisi, ka vlerësuar  se shkarkimi i seleksionuesit Alain Giresse nga Përfaqësuesja e Kosovës ka qenë e pritshme. Giresse është shkarkuar të martën, një ditë pasi që Kosova pësoi 2:1 nga Bjellorusia, duke iu zbehur tejmase gjasat për të siguruar një biletë në “Euro 2024”.

Polisi në emisionin “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se Evropianin vazhdon të mbetet vetëm ëndërr për Kosovën.

“Shkarkimi i Alain Giresset ka qenë i pritshëm pas rezultateve negative në katër ndeshjet kualifikuese për Evropianin që mbahet në Gjermani. Trajneri francez nuk i përmbushi pritshmërinë e Federatës së Futbollit të Kosovës. Dhe, mbase ka qenë vendim i drejt për t’u shkarkuar, pasi tashmë kualifikimi në Evropian është vetëm ëndërr për Kosovën. Se a mjafton vetëm shkarkimi i Giresset, mendoj se jo. Mendoj se bashkë me të duhet edhe një pjesë e stafit të përfaqësueses të largohet për këtë dështim. Puna e disa prej drejtuesve të përfaqësueses lë për të dëshiruar. Pra, problemi nuk është vetëm trajneri, por edhe një pjesë e stafit për shkak të mënyrës se si punojnë”, tha Polisi.

Polisi e ka vlerësuar mjaft të rëndë humbjen e të hënës mbrëma nga Bjellorusia, si dhe barazimin me Andorrën në Prishtinë. “Pra, kemi dy ndeshje ku kemi lëshuar pikë e që në letër janë vlerësuar si përfaqësuese të lehta. Në shtator Kosova ka dy ndeshje të vështira. E pret Zvicrën, ndërsa në udhëtim luan kundër Rumanisë”, tha Polisi.