Mesfushori francez, Paul Pogba, nuk dëshiron të luajë për Manchester Unitedin, pasi me çdo kusht po kërkon largimin nga ekipi gjatë afatit kalimtar të janarit, ka shkruar “The Sun” të martën.
Pogba prej muajit shtator është i lënduar dhe nuk është rikuperuar plotësisht për ta ndihmuar Manchesterin që këtë edicion ka rezultate të dobëta.
Mësohet se Pogba po përpiqet ta detyrojë klubin për ta shitur te Juventusi apo Real Madridi, ekipe që kanë shprehur interesim për shërbimet e tij, transmeton Koha Ditore. Ai ka kontratë deri në vitin 2021 dhe muaj më parë ka refuzuar kontratën e re.
26-vjeçari këtë edicion ka vetëm gjashtë ndeshje në të gjitha garat. Ai në vitin 2016 është kthyer te Manchesteri pas katër sezoneve të kaluara te Juventusi, ku fitoi katër tituj kampioni të Italisë.