Futbolli është ndalur nëpër botë shkaku i pandemisë COVID-19. Gjitha ligat e mëdha dhe garat janë pezulluar. Por, ndeshjet në Bundesligë po pritet të kthehen pa shikues, në maj.
Gjermania ka qenë e suksesshme në luftimin e koronavirusit. Programi intensiv në Gjermani me testime të vazhdueshme nga herët ka ndikuar në më pak të vdekur sesa në shtetet që janë prekur më së rëndi, shkruan BBC.
Liga e Futbollit Gjerman (DFL), që është përgjegjëse për operimin e Bundesligës dhe Kategorisë së Dytë, është e vendosur të përfundojë stinorin aktual. 36 klubet e dy rangjeve do të bisedojnë të enjten për rifillim të stinorit muajin e ardhshëm.
Por, autoritetet e futbollit në Gjermani do të përballen me pyetje të shumta, para se të marrin dritën e gjelbërt për t’iu rikthyer futbollit me dyer të mbyllura.
Por, çfarë sfida i presin?
Çfarë do të thotë qeveria e Gjermanisë?
Edhe
Bundesliga merr lejen që të rifillojë javën e ardhshme
Politika gjermane së fundi ka vendosur që ngjarjet e mëdha që mbledhin turma të njerëzve do të ndalohen deri së paku në fund të gushtit. Kështu që do të thotë se Bundesliga do të luhet pa shikues, së paku deri fillimin e stinorit të ardhshëm.
Mënyra e vetme për të organizuar ndeshjet në këtë kohë është që ato të jenë pa shikues, me vetëm lojtarë, staf të trajnerëve, staf mjekësor, referët, mbledhësit e topave, mirëmbajtësit e fushës, teknikët, zyrtarët e sigurisë dhe produksioni televiziv dhe i VAR-it prezent në stadiume. Zyrtarët e ligës kanë llogaritur se së palu 300 persona do të jenë për ndeshje.
Në Gjermani, 16 shtetet federale do të caktojnë numrin maksimal të personave të lejuar në tubime publike dhe vendimi për numrin do të merret në fund të prillit.
Qeveritë mund të ndalojnë çdo plan të DFL-së, por janë të vetëdijshëm për vështirësitë ekonomike me të cilën po përballet futbolli profesionist dhe pritet të aprovojnë dëshirën e klubeve.
“Një fundjavë me futboll përballohet shumë më lehtë sesa pa futboll. Për këtë arsye mund të paramendojë të kemi ndeshje pa shikues”, ka thënë Markus Soder, kryetari i Bavarisë, për “Bild”.
Ai dhe Armin Laschet, kryetari i Nord Rhine-Westphalia, mendojnë se Bundesliga mund të rinisë më 9 maj.
Soder dhe Laschet kanë nxituar pak me deklaratat e tyre, duke e ditur se qeveritë federale dhe 16 qeveritë shtetërore do të takohen më 30 prill, ku pritet që ndeshjet e futbollit të lejohen nga muajt e ardhshëm.
20 mijë teste të nevojshme
Por, DFL, nuk beson se mund të jetë gjithçka gati për fillimin e ndeshjeve më 9 maj. Vlerëson se duhet më tepër kohë për përgatitje. Beson se 16 apo 23 maji është datë më e besueshme për rifillimin.
Organizimi i ndeshjeve profesioniste të futbollit, qoftë vetë me disa qindra njerëz paraqet sfidë logjistike. Disa javë më parë, DFL caktoi një task-forcë për të definuar protokollet e nevojshme mjekësore e higjienike që do të kërkohen.
Sipas planit të task-forcës, stadiumet do të ndahen në tri zona. Maksimum 100 persona mund të jenë në secilën zonë. Zona e brendshme i takon 22 lojtarëve, 18 lojtarëve rezervë, pesë referëve dhe rreth 53 tjerëve. Tribunat konsiderohen si sektor i dytë dhe zona që rrethon stadiumin është sektori i tretë.
Plani po ashtu përfshinë testime të rregullta për lojtarët dhe trajnerët mes seancave stërvitore dhe para ndeshjeve. Alexander Kekule, një biokimist nga Universiteti “Marthin Luther” në Halle, llogaritë se DFL-së do t’i duhet të bëjë rreth 20 mijë teste dhe po ashtu të marrë pasa të jashtëzakonshme organizuese.
“Lojtarët duhet të mbrohen me masa specifike të sigurisë për të parandaluar infektimet, pasi nuk do të jenë në gjendje të evitojnë kontaktin në fushë”, ka thënë Kekule.
Bundesliga kalon edhe një pengesë në rrugën drejt vazhdimit të stinorit
Testimet e rregullta krijojnë kokëdhembje nga aspekti praktik, pasi është e pamundur të dihet nëse një lojtar është i infektuar kur futet në fushë.
“Duhet disa ditë para se ndonjëri, që ka qenë në kontakt me virusin, të testohet pozitiv”, thotë Martin Eichner, një epidemiolog nga Universiteti i Tubingenit.
Ai ka hedhur poshtë mundësinë e testeve më të shpejta që janë zhvilluar, duke thënë se ato nuk janë plotësisht të besueshme.
Të tjerët kanë shprehur shqetësimin për implikimet morale.
“Do të duhen dhjetëramijëra pajisje testuese, pajisje që po mungojnë nëpër spitale”, ka thënë karl Lauterbach, një ekspert i shëndetësisë në Partinë Social Demokrate (SPD).
Por, DFL hedh poshtë këto akuza.
“Çdo vlerësim se këto testime të vazhdueshme do të shkaktojnë mungesë të pajisjeve testuese për publikun e përgjithshëm, është i gabuar pasi nuk merren parasysh faktet. Kapaciteti i testimeve është rritur dukshëm në javët e fundit”, është thënë të martën në një komunikatë për media të Komitetit Ekzekutiv të DFL-së.
Aktualisht janë 640 mijë pajisje testuese në dispozicion në Gjermani për çdo javë. Bundesliga dhe Bundesliga 2 do të kërkojnë rreth 0.5 për qind të këtyre testeve.
Klubet përballen me falimentim
Derisa kritikat nga politika dhe grupet e tifozëve do të jenë të paevitueshme, shumë zyrtarë të klubeve kanë bërë të ditur se duan të vazhdojnë me planin e tyre aktual.
Ata thonë se vazhdimi i stinorit, qoftë edhe pa shikues, është mënyra e vetme për të garantuar mbijetesën aktuale të industrisë së futbollit profesionist në Gjermani.
Sipas një raporti të brendshëm të DFL-së nga fundi i marsit, së paku 13 nga 36 klubet e Bundesligës dhe Bundesligës 2, përballen me falimentim në maj apo qershor, nëse stinori nuk rifillon së shpejti, pasi janë të varura nga të hyrat nga të drejtat televizive.
Lojtarët po e mbajnë distancën në stërvitje
Në ndërkohë, klubet po tentojnë të përballojnë krizën momentale. Shumica e lojtarëve i janë kthyer stërvitjeve.
Lideri i Bundesligës, Bayern Muencheni i është kthyer fushës stërvitore me 6 prill, ku lojtarët po ushtrojnë në grupe të vogla dhe po mbajnë vazhdimisht distancën. RB Leipzig është kthyer më 2 prill, ndërsa Borussia Dortmund ka nisur me stërvitje individuale dy ditë më herët.
Edhe
Klubet gjermane po shpresojnë në rifillimin e stinorit në mesin e majit
Këtë javë, DFL i ka dërguar klubeve një letër ku përfshihen 31 instruksione për seancat stërvitore. Në mesin e tyre, klubet duhet të arranzhojnë edhe qendra testuese për koronavirus, për lojtarët dhe anëtarët e stafit që shfaqin simptome. Përdorimi i zhveshtore lejohet vetëm nëse lojtarët futen në grupe të vogla dhe qëndrojnë dy metra larg njëri-tjetrit. Drekat ekipore janë të ndaluara.
Klubet kanë premtuar t’i përmbahen këtyre rregullave me shpresë se do të jenë në gjendje t’i kthehen fushës dhe të përfundojnë stinorin.