Pika e fituar vikendin e shkuar në Gjilan e ka trimëruar Trepçën ’89 para duelit me skuadrën tjetër gjilanase, Dritën. Trepça ’89, që po lufton për të siguruar mbijetesën, nuk po synon barazim ndaj Dritës, por fitore në ndeshjen e xhiros së 24-të.
Kjo përballje zhvillohet të dielën në stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës, prej orës 17:00. Në xhiron e shkuar, Trepça ’89 luajti pa gola në udhëtim ndaj Gjilanit, derisa Drita në shtëpi e mposhti Flamurtarin, fitore që e ngriti në pozitën e parë në tabelë.
Drita ka tubuar 46 pikë dhe po synon titullin e kampionit, derisa Trepça ’89 ka 28 pikë dhe zë vendin e nëntë, pozitë që edicionin e ardhshëm dërgon në Ligën e Parë, transmeton KOHA.
Ekipi mitrovicas është i kompletuar për duelin me Dritën, por edhe maksimalisht i motivuar. Në fakt, këtë edicion Trepça ’89 nuk di për humbje përballë ekipeve të Gjilanit. Në total, ka regjistruar tri fitore e dy barazime në pesë ndeshje që i ka luajtur me Gjilanin e Dritës. Ndaj Dritës e ka një fitore dhe një barazim.
“Pika e fituar në Gjilan ishte shumë e rëndësishme për ekipin tonë, për shkak se siç po shkojnë ndeshjet me këtë diferencë të ngushtë, atëherë çdo pikë e fituar do të jetë e madhe në fund të edicionit, pavarësisht kundërshtarit që e kemi përballë. Ndaj Dritës është një ndeshje shumë e vështirë, por ne kemi punuar dhe jemi përgatitur maksimalisht gjatë tërë javës”, ka thënë kapiteni i Trepçës ’89, Leart Emini. “Motivi është shumë i madh te ne dhe besoj se të gjithë lojtarët do t’i shtrëngojnë dhëmbët për të arritur fitore, për shkak se pozita në të cilën jemi nuk na lejon gabime, sidomos në terrenin vendas. Nuk kemi mungesa dhe jemi plotësisht të gatshëm për këtë përballje”.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, pranon që ekipi i tij këtë edicion nuk e ka pasur aspak lehtë ndaj Trepçës ’89 dhe pret vështirësi edhe në përballjen e tretë. Mirëpo, ai insiston se synimi i Dritës është që ta mbajë pozitën e parë deri në fund të këtij edicioni, kur kanë mbetur edhe dhjetë xhiro të pazhvilluara.