Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pezullohen kualifikimet për Lojëra Olimpike

Kualifikimet për Lojërat Olimpike të Tokios janë pezulluar deri më 1 dhjetor, ka njoftuar Federata Ndërkombëtare e Atletikës (World Athletics) të martën.

Atletët që tashmë kanë fituar normën do të mbesin të kualifikuar dhe në dispozicion për t’u përzgjedhur nga Komitetet Olimpike Nacionale.

Periudha e kualifikimit në atletikë ka nisur në vitin 2019, por është ndërprerë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në fakt janë ndërprerë të gjitha ngjarjet e atletikës dhe thuajse i gjithë sporti.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Sebastian Coe ka thënë se është falënderues për punën e bërë nga organizatorët dhe se pezullimi i aktiviteteve është mënyra më e mirë që atletët të kenë mundësi të barabarta.

Të gjitha rezultatet që do të arrihen në ngjarjet që do të mbahen deri më 1 dhjetor, nuk do të sigurojnë normë olimpike. Periudha kualifikuese do të jetë prej 1 dhjetorit e deri në maj apo qershor të vitit të ardhshëm.

Federata e Atletikës po ashtu ka njoftuar se ka dërguar në pushim të përkohshëm gjysmën e stafit të selisë së saj, që do të vazhdojnë të paguhen 100 për qind.

Lojërat Olimpike të Tokios janë shtyrë për vitin e ardhshëm. Ngjarja kryesore sportive është dashur të mbahet në korrik dhe gusht të këtij viti.

Artikuj të ngjashëm